Rrëzohet një helikopter ushtarak i Ugandës në Somali, 5 viktima

Një helikopter ushtarak i Ugandës me tetë persona në bord është rrëzuar dhe ka marrë flakë në aeroportin ndërkombëtar kryesor të kryeqytetit somalez, Mogadishu, ka bërë të ditur për BBC-në zëdhënësi i ushtrisë ugandeze.

Deri më tani është konfirmuar për pesë të vdekur, ndërsa raportohet se tre personat e tjerë kanë shpëtuar me lëndime serioze.

Gjeneralmajor Felix Kulaigye ka thënë se “shkaku i rrëzimit mbetet ende i paqartë.”

Trupat ugandeze janë pjesë e një force 11 mijë trupash të Bashkimit Afrikan (AU), që ndihmon qeverinë somaleze në luftën kundër grupit të lidhur me al-Kaedën, al-Shabab, i cili prej më shumë se dy dekadash zhvillon një kryengritje të përgjakshme në vend.

Ndërkohë, zyrtarët e AU-së dhe të Somalisë kanë bërë të ditur se ka nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.