Rozeta Hajdari u intervistua si e dyshuar për skandalin me rezervat shtetërore, Prokuroria Speciale: U mbrojt në heshtje

Prokuroria Speciale është deklaruar rreth intervistimit të Ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, ka deklaruar për Reporteri.net se Hajdari ka pasur ftesë të paraqitet në Prokurori për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës dhe “me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet”.

Luta ka thënë se sikurse herën e parë, edhe sot Hajdari është mbrojtur në heshtje.

Ardhja e mërgimtarëve, të dhënat e fundit për pritjet në pikat kufitare për të hyrë në Kosovë
Skandali me rezervat shtetërore, Hajdari: Prokuroria s’kishte të drejtë të merrte dokumente sekrete, është shkelur ligji
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, njoftoheni se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka thirrur znj. Rozeta Hajdari, që të paraqitet në prokurori për t’u deklaruar në cilësinë e të pandehurës, në kuadër të hetimeve për rastin “Rezervat shtetërore”. Znj.Hajdari është ftuar me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit të këtij rasti penal. Megjithatë, znj.Hajdari e ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, sikurse herën e parë kur ishte ftuar në prokurori për këtë çështje”, ka deklaruar Luta për Reporteri.net.

Ajo tha se rasti është duke u trajtuar në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.

Në gusht të vitit 2023, u arrestuan disa persona lidhur me këtë rast, në mesin e të cilëve edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të udhëhequr nga Hajdari.

Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.

Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Ajo kishte akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, kishte deklaruar Kurti.

Lidhur me këtë rast është ftuar për intervistim edhe vetë Kurti, mirëpo ai ka refuzuar të shkojë në Prokurori, duke kërkuar që të intervistohet në Kryeministri.

Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e parë të Prokurorisë Speciale për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e kishte cilësuar këtë si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve 2025, të cilat u mbajtën më 9 shkurt./Reporteri.net