Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se sistemi elektronik i Policisë së Maqedonisë së Veriut ka pësuar një rënie teknike në të gjithë territorin e saj, duke shkaktuar pezullim të përkohshëm të hyrjes së automjeteve në këtë shtet.
Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet maqedonase janë detyruar të regjistrojnë udhëtarët në mënyrë manuale, gjë që ka sjellë rikthimin e kontrollit të dyfishtë kufitar. Si pasojë, në pikat kufitare janë krijuar kolona të gjata dhe pritje të zgjatura.
“Tani kanë filluar mekanikisht regjistrimin dhe, derisa të rikthehet funksionaliteti i sistemit kufitar të RMV-së, është vendosur kontrolli i dyfishtë”, thuhet në njoftimin e QKMK-së.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të planifikojnë me kujdes udhëtimet drejt Maqedonisë së Veriut dhe premton informim të vazhdueshëm në kohë reale për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë situatë.