Rama: Trump është një mundësi e madhe për Evropën, ende po negociojmë për ishullin e Sazanit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë një intervistë për Stephan Lebert dhe Stefan Willeke publikuar në median gjermane “Die Zeit” ku nuk munguan pyetjet për marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe ndikimet në Shqipëri.

Konkretisht për presidentin amerikan Donald Trump, Rama tha se tashmë ka luajtur një rol të rëndësishëm duke vënë në tryezë idenë e një armëpushimi dhe paqeje në Ukrainë.

Ramës nga intervistuesit iu theksua fakti se gjatë manditit të parë të Trumpit, ai e kritikoi atë. Kreu i qeverisë shqiptare tha se e bëri këtë edhe më parë, kur Trumpi ishte ende kandidat presidencial.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se mandati i parë i Trumpit nuk ishte aq i keq për botën. Sipas tij, Trumpi sot përfaqëson një mundësi të madhe për Evropën.

Rama u pyet gjithashtu edhe për investimin e dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner që pritet të realizohet në jug të Shqipërisë. Për këtë kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se projekti po ecën dhe përbëhet nga dy pjesë, nga njëra anë, brezi bregdetar, ose gadishulli, që tha se është në pronësi private dhe nga ana tjetër, ishulli i Sazanit, i cili i përket shtetit.

“Gadishulli ka përfunduar fazën e planifikimit. Ne ende po negociojmë kushtet e partneritetit për ishullin e Sazanit”, tha Rama.

Ai u shpreh se konceptet paraprake duken shumë premtuese. Sipas tij, lista e kompanive që duan të bëhen pjesë e këtyre kufijve të rinj të turizmit mesdhetar është mbresëlënëse. /Oranews