Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar këtë të hënë konfiskimin e një pallati në qytetin e Vlorës, si pjesë e operacionit kundër ndërtimeve pa leje dhe në kundërshtim me ligjin.
Në takim me drejtuesit politikë të PS në Tiranë, drejtorët e bashkisë dhe deputetët e qarkut, ai theksoi se nuk do të ketë më asnjë tolerancë ndaj ndërtuesve informalë.
“Sot do të bëhet një konfiskim i një pallati në Vlorë që është në shkelje. Ky proces synon të bashkojë dy gjëra, kemi marrë përsipër të mbyllim legalizimet brenda 2028, por ta harrojë kushdoqoftë që do legalizojë në shkelje të ligjit. Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, nuk do të ketë asnjë tolerancë asnjë ndalim më në këtë proces. Të gjitha skuadrat e deputetëve që morën së bashku 83 mandate të jenë pranë komuniteteve”, tha Rama.
Kryeministri u bëri thirrje deputetëve të shumicës që të jenë të pranishëm në terren dhe të angazhohen me komunitetin për të garantuar zbatimin e ligjit dhe përmbylljen e procesit të legalizimeve brenda afatit të përcaktuar.