Qytetarë serbë bllokojnë rrugën drejt pikëkalimit kufitar në Merdar – bëhet thirrje për shmangien e kësaj pike

Qytetarë serbë kanë bllokuar rrugën që shpie drejt pikëkalimit kufitar në Merdar nga ana e Serbisë, duke krijuar vështirësi për qarkullimin e lirë të udhëtarëve.

Lajmi është konfirmuar të martën pasdite nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMF), e cila ka bërë thirrje që kjo pikëkalim të shmanget përkohësisht.

Sipas QKMF-së, bllokada ishte paralajmëruar të fillonte nga ora 18:00 dhe është vendosur në territorin serb, duke penguar hyrje-daljet përmes kësaj rruge kyçe për qarkullimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Me qëllim të evitimit të kësaj rruge dhe pengesave në rrugë që shpiejnë në PKK Merdarë, inkurajojmë udhëtarët që të shfrytëzojnë pikëkalime të tjera kufitare, deri në një njoftim të ri,” thuhet në komunikatën zyrtare të QKMF-së.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi arsyet e këtij bllokimi, ndërsa nuk dihet se sa do të zgjasë kjo situatë.

Merdarja mbetet një nga pikat kufitare më të rëndësishme për qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve.