Po “gatuhen” masa për t’u përballur me çmimet! Mickoski u takua me Durmishin, masat priten deri në fund të muajit?
Kryeministri Mickoski u takua me ministrin e Ekonomisë, Besar Durmishi, por zyrtarisht nuk ka informacione nëse do të ketë masa të reja dhe çfarë do të jenë ato për të ndalur rritjen e çmimeve të ushqimit. Jozyrtarisht po shqyrtohet kthimi i masave të mëparshme siç është ngrirja e marzheve të fitimit dhe shporta e konsumatorit, si më parë. Çfarë “gatuhet” në kuzhinën qeveritare nuk zbulohet, por pritet të dihet deri në fund të muajit, kur do të mbahet seanca e Këshillit Ekonomiko-Social.
Ndërkohë që Qeveria analizon, partitë reagojnë. Nga Aleanca për Shqiptarët akuzojnë se Qeveria nuk ka bërë asgjë për të mbrojtur standardin e qytetarëve, ndryshe nga vendet fqinje. Ata kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria dhe masa konkrete si kufizimi i marzheve të fitimit, sepse sipas tyre inflacioni është një taksë e fshehur që godet më së shumti të varfrit.
“Prandaj kërkojmë krijimin e një plani të menjëhershëm ekonomik me masa konkrete për subvencionimin e grupeve më të prekura nga inflacioni. Ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë dhe shërbimet shëndetësore, mbështetje për prodhuesit vendorë për të garantuar ushqim të sigurt dhe kufizim të rritjes së çmimeve nga importi, ndalimi i spekulimeve në treg dhe mekanizma efikas për kontrollin e çmimeve”, theksoi Elfete Ismaili, Aleanca për Shqiptarët .
Nga koalicioni qeverisës VLEN përgjigjen se janë ndërmarrë masa të fuqishme kundër rritjes së çmimeve, inflacioni është në rënie dhe ushqimet janë më të përballueshme. Në raportin për punën njëvjeçare të Ministrisë së Ekonomisë nën drejtimin e VLEN, u theksua se masat e ndërmarra po japin rezultat.
“Ndërmorëm masa të forta kundër rritjes së çmimeve, duke kufizuar marzhet për mbi 1.000 produkte. Sot, inflacioni është në rënie. Jemi në fazën përfundimtare të krijimit të shportës zyrtare të konsumit, që do të shërbejë si bazë për masa më të sakta ekonomike dhe sociale. Gjithashtu, po zhvillojmë një aplikacion për çmimet, që qytetarët të dinë ku mund të blejnë më lirë”, theksoi Jumni Ademi,VLEN.
Kryeministri dje paralajmëroi se deri në fund të muajit do të mbahet një seancë e Këshillit Ekonomiko-Social. Në tryezë do të shqyrtohen masat e mundshme për ndalimin e rritjes së çmimeve, si dhe shporta qeveritare e konsumit që duhej të përfundonte që në pranverë. Problemi është se afati është i shkurtër për miratimin e masave, pasi në gusht duhet të shpallen zgjedhjet lokale, çka do të pezullojë të gjitha proceset.
Statistikat konfirmojnë se inflacioni në vend nuk po ndalet. Në qershor, inflacioni vjetor ishte 4.5 për qind. Të gjitha çmimet janë rritur, veçanërisht ato të ushqimeve – në qershor të këtij viti ato ishin 6.3% më të larta krahasuar me qershorin e kaluar.