Pezullohet nga detyra kryeministrja tajlandeze, çfarë u publikua nga telefonin i saj

Gjykata Kushtetuese e Tajlandës ka pezulluar nga detyra kryeministren Paetongtarn Shinawatra, pas publikimit të një telefonate të saj me ish-liderin kamboxhian Hun Sen, që ka nxitur zemërim të gjerë publik dhe një peticion për shkarkimin e saj.

Në klipin e publikuar, Paetongtarn i referohet Hun Sen-it si “xhaxha” dhe kritikon një komandant ushtarak tajlandez – deklarata që janë konsideruar si cenim i integritetit institucional. Gjykata votoi 7-2 për pezullimin e saj, ndërsa shqyrton çështjen për shkarkim. Kryeministrja ka 15 ditë kohë për të paraqitur mbrojtjen.

Zëvendëskryeministrja Suriya Jungrungruangkit do të marrë detyrën si udhëheqëse e përkohshme e vendit.

Ky zhvillim e bën Paetongtarnin politikanen e tretë nga klani Shinawatra që humbet pushtetin para përfundimit të mandatit. Partia e saj Pheu Thai, tashmë në krizë, rrezikon të humbasë kontrollin mbi qeverinë pas largimit të një aleati konservator dy javë më parë.

Nëse gjykata vendos shkarkimin e saj, kjo do të jetë hera e dytë brenda një viti që një kryeministër i Pheu Thai largohet nga detyra përmes vendimit të Gjykatës Kushtetuese.