Pesë persona humbën jetën në një aksident trafiku në autostradën Maribor – Lubjanë

Pesë persona humbën jetën mëngjesin e sotëm në një aksident trafiku në autostradën në rajonin Shtajerska të Sllovenisë. Të gjithë viktimat ishin shtetas të huaj, njoftoi Drejtoria Policore për agjencinë sllovene të lajmeve STA.

Sipas informacioneve të para, drejtuesi i një furgoni u përplas me një kamion që qëndronte në kolonë për shkak të shpejtësisë së papërshtatshme, raporton portali 24ur.

Sipas inspektores së trafikut rrugor Jasna Bozhiç nga Drejtoria Policore e Celjes, pesë persona humbën jetën dhe të gjitha viktimat ishin pasagjerë në furgon, i cili sipas të dhënave fillestare kishte shtatë persona brenda.

Policia fillimisht kishte raportuar për katër të vdekur dhe dy të plagosur, por më vonë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë konfirmoi viktimën e pestë. Jozyrtarisht, thuhet se të gjitha viktimat ishin shtetas të huaj, ndoshta nga Rusia. Furgoni drejtohej nga një shtetas ukrainas.

“Shkaku i aksidentit ishte shpejtësia e papërshtatshme. Një shtetas ukrainas, drejtuesi i furgonit, u përplas me një kamion që ndodhej në kolonë. Aksidenti ndodhi menjëherë para zonës ku po zhvillohen punime. Policia po kryen mbikëqyrje të shtuar gjatë këtyre ndalesave, përfshirë edhe kontrollin ajror me helikopter. Identitetet e viktimave ende po verifikohen. Në aksident humbën jetën pesë persona, ndërsa dy të tjerë u dërguan në spital. Njëri prej tyre u transportua me urgjencë me helikopter për të marrë ndihmën mjekësore sa më shpejt,” tha Bozhiç.

Kamioni i përfshirë në aksident është larguar tashmë nga vendngjarja. Furgoni ende ndodhet në rrugë, pasi policia po mbledh të gjitha informacionet e nevojshme. Në terren ka një numër të madh patrullash policore që po zhvillojnë hetime.