Përpjekja e Giorgia Melonit për reformimin e drejtësisë italiane kalon në Senat

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po avancon me forcë planin e saj për të riformuar sistemin e drejtësisë në Itali, me pritshmërinë që Senati të miratojë të martën një reformë kushtetuese që synon ndryshimin rrënjësor të këtij sistemi.

Ky projekt reforme, që rikthen në skenë një betejë të vjetër të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, ka si synim kryesor ndarjen e karrierës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, dy grupe që deri më sot kanë qenë pjesë e një trupe të përbashkët profesionale. Kjo ndarje, sipas koalicionit të djathtë të Melonit, synon të kufizojë ndikimin e prokurorëve, të cilët akuzohen për mungesë përgjegjshmërie dhe për sfidim të pushteteve të zgjedhura të qeverisë.

Megjithatë, gjyqtarët dhe partitë opozitare kundërshtojnë fuqishëm këtë ndryshim, duke paralajmëruar se ai mund të çojë në kontroll më të madh politik mbi prokurorët dhe të minojë pavarësinë e tyre.

Shoqata Kombëtare e Magjistratëve e ka cilësuar reformën në një broshurë shpjeguese si “një ndërhyrje që do të rrëzojë strukturën kushtetuese ekzistuese dhe ekuilibrin e pushteteve, duke zvogëluar hapësirat e pavarësisë dhe duke shkelur të drejtat dhe liritë e qytetarëve”.

Nga ana e saj, Meloni, e cila prej afro tre vjetësh ka pasur përplasje të shumta me sistemin gjyqësor, ka mbrojtur fuqishëm këtë reformë, duke e konsideruar të domosdoshme për “eleminimin e deformimeve të dekadave të fundit” dhe për të siguruar “garanci të nevojshme për procese të drejta dhe të shpejta”.

“Ky nuk është një ndryshim kundër askujt,” deklaroi ajo në një video në rrjetet sociale në fillim të këtij viti. “Kjo është një reformë që, sipas meje, nevojitet për të bërë që drejtësia të funksionojë më mirë.”

Miratimi i amendamentit nga Senati, pas miratimit të tij më parë në Dhomën e Deputetëve do t’i afrojë kështu masat një referendum kombëtar, i cili duhet gjithashtu të ratifikojë ndryshimet kushtetuese dhe që mund të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm.

Sipas kushtetutës italiane pas Luftës së Dytë Botërore, që garanton pavarësinë dhe autonominë e sistemit gjyqësor, prokurorët dhe gjyqtarët janë pjesë e një trupe të vetme profesionale, me karrierë të përbashkët dhe mbikëqyrje nga një organ autonom që i mbron nga ndërhyrjet e qeverisë.

Amendamenti i Melonit parashikon krijimin e dy karrierave të ndara, një për gjyqtarët dhe një për prokurorët, secila me organe mbikëqyrëse të veçanta, si dhe kufizimin e kalimit midis këtyre roleve, një ndryshim që ka nxitur zemërimin e magjistratëve.

Shoqata e magjistratëve ka paralajmëruar se “ndarja e karrierave izolon prokurorin publik dhe krijon rrezikun real të nënshtrohet ndaj ekzekutivit”.

Analistët politikë shohin në këtë masë një përpjekje për të zvogëluar lidhjen e ngushtë midis gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët shpesh ndajnë edhe zyrat dhe për të siguruar procese më të drejta. Kjo nismë vjen në një kohë kur besimi i publikut në prokurorë dhe në sistemin gjyqësor në përgjithësi është dëmtuar nga vonesat e gjata dhe lirimet në çështje të mëdha, duke krijuar dyshime për motive politike pas disa procedimeve penale.

“Para 25 vitesh, një reformë e tillë e drejtësisë do të ishte e papranueshme,” thotë Giovanni Orsina, profesor i shkencave politike në Universitetin Luiss të Romës. “Drejtësia ishte shumë e fuqishme dhe opinioni publik e mbështeste fuqishëm atë. Sot, situata ka ndryshuar.”

Silvio Berlusconi, magnati i mediave dhe ish-kryeministër, i cili e emëroi Melonin ministër në qeverinë e tij në vitin 2008, u përpoq të kufizonte pavarësinë e prokurorëve gjatë betejave të tij ligjore, por përpjekjet e tij u pritën me skepticizëm dhe nuk morën përkrahje të mjaftueshme.

“Berlusconi mund të akuzohej se donte të ndryshonte drejtësinë për interesa personale, por Meloni nuk mund të akuzohet për këtë,” thekson Orsina.

Megjithatë, Meloni ka pohuar se gjyqësori është një bastion i së majtës, që ka penguar axhendën e saj politike mbi bazën e ideologjisë dhe jo të një interpretimi të paanshëm të ligjit. Ajo ka kritikuar vendimet e gjyqtarëve kundër qendrave të saj kryesore të azilit në Shqipëri, ku synonte të mbante emigrantët e paligjshëm të shpëtuar në Mesdhe, në vend që t’i çonte në Itali.

Ajo është ankuar për procedime penale me motive politike ndaj vetes dhe zv.kryeministrit Matteo Salvini për veprimet dhe vendimet e tyre në detyrë.

“Qëllimi ynë është të çlirojmë magjistratët nga çdo formë ndikimi politik,” është shprehur Meloni.

Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e përshkroi drejtësinë më herët këtë vit si “opozitën kryesore politike të kësaj qeverie”.