Përjashtimi për punësim të 155 motrave medicinale në Tetovë, Bajram Rexhepi: Vendim skandaloz dhe i turpshëm
Një valë zhgënjimi dhe indinjate ka përfshirë opinionin publik në Tetovë pas lajmit për përjashtimin e 155 motrave medicinale nga procesi i punësimit në institucionet shëndetësore të qytetit informon Tetovasot . Ky vendim ka ngjallur reagime të forta, veçanërisht nga personalitetet e fushës së shëndetësisë.Poashtu ka reaguar edhe Bajram Rexhepi, i cili e ka cilësuar aktin si një vendim “skandaloz dhe të turpshëm”. Në një kohë kur sistemi shëndetësor përballet me mungesë të personelit të kualifikuar, përjashtimi i këtyre profesionisteve përbën një hap mbrapa dhe ngre pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe drejtësinë e procesit të punësimit.
Postimi i z. Rexhepi:
Përjashtimi dhe mosdhënia e pëlqimit për punësim të 155 motrave medicinale nga Spitali i Tetovës nuk është vetëm një vendim i turpshëm dhe diskriminues, por dëshmi e riformatimit të qëllimshëm të shtetit drejt kornizave të para vitit 2001.
Ky vendim vjen menjëherë pas suspendimit të elementit bashkëqeverisës shqiptar në Fondin për Sigurim Shëndetësor, një tjetër hap i qëllimshëm në margjinalizimin institucional të shqiptarëve. Dhe e gjitha kjo ndodh me pëlqimin bë heshtje të eksponentëve tanë në qeveri.
Dëmet që po shkaktohen do të duan kohë për t’u rikuperuar, por turpi i atyre që heshtën do të mbetet i përjetshëm. Dinjiteti nuk negociohet dhe mbi të nuk bëhen kompromise dhe pazare politike. Ai mbrohet, me zë, me qëndresë, dhe vepra.