Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda tha se vendimi i djeshëm i Gjykatës Supreme, i bazuar në Ligjin për Qeverinë, ka vulosur faktin se mbajtja e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që njëkohësisht janë edhe deputetë, është e kundërligjshme dhe jokushtetuese.
Gruda, në një konferencë për media tha se pas këtij aktgjykimi, çdo ditë që këta zyrtarë publikë vazhdojnë të mbajnë dy funksione, nënkupton kryerje të veprës penale të moszbatimit të vendimit gjyqësor.
“Dje, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e shpalli të paligjshëm Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 për pajisjet elektronike fiskale. Ky vendim u bazua në Ligjin për Qeverinë, i cili e ndalon ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që janë njëkohësisht edhe deputetë. Në këtë rast, ministri i financave, Hekuran Murati, nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit. Ky vendim nuk vlen vetëm për një individ, por për të gjithë ministrat dhe për vetë Kryeministrin Kurti, të cilët aktualisht janë edhe deputetë në Kuvendin e Kosovës. Gjykata ka vulosur një të vërtetë që ne e kemi theksuar që nga dita e parë: mbajtja e funksioneve të dyfishta është e kundërligjshme dhe jokushtetuese. Kjo është edhe arsyeja që në seancën e parë e kemi kundërshtuar edhe raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve”, theksoi ai.
Protesta e 2015’ës, Polici thotë se ka hequr dorë si palë e dëmtuar: U godita me kockë guri
Hamza: Gjykata Speciale po humb besimin e qytetarëve, Kosova s’do të lejojë rishkrim të historisë
PDK i bën thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave që janë njëkohësisht deputetë që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke i liruar menjëherë funksionet ekzekutive për t’ua deleguar ato zëvendësve të tyre, si dhe kërkon që ata të ndalin sulmet ndaj gjyqësorit.
“Gjithashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të jetë vigjilente dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi gjyqësor, i cili është i menjëhershëm dhe i detyrueshëm. Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, jo për shtet të njerëzve mbi ligjin”, tha Gruda.
Tutje, Gruda, ka reaguar ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që sot e kanë refuzuar mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ish-Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
“Partia Demokratike e Kosovës, pa u futur në paragjykime për prapaskenat e këtij vendimi, shpreh keqardhje të thellë, sepse ky ishte një rast i humbur për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet themelore që ajo duhet të mishërojë: objektivitetin, paanshmërinë dhe të vërtetën. Është e papranueshme që asnjë kërkesë e mbrojtjes nuk merret parasysh, ndërkohë që gjykata dhe prokuroria veprojnë si një trup i vetëm”, tha ai.
Sipas Grudës, vendimet e deritanishme dhe rregullorja e kësaj gjykate dëshmojnë se mbrojtja nuk trajtohet në mënyrë të barabartë me prokurorinë
“Megjithatë, ne besojmë fuqishëm se drejtësia, sado që vonon, në fund gjithmonë mbështetet mbi të vërtetën. Dhe e vërteta në këtë rast është e pakontestueshme: Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me besim të palëkundur vendimin përfundimtar për lirimin e tyre të plotë dhe të përhershëm”, theksoi deputeti Gruda.