Pas kritikave të Ramës, ngrihet Task Forcë e Posaçme për Vlorën: Kush do ta drejtojë

Pas vizitës së Kryeministrit Edi Rama në qytetin e Vlorës, administrata qendrore dhe vendore është vënë në lëvizje për të garantuar një sezon turistik sa më të qetë dhe efikas. Mësohet se ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, do të pozicionohet në qytetin e Vlorës, ku sipas burimeve do të angazhohet së bashku me strukturat e bashkisë dhe ato qendrore për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

– Advertisement –
Mësohet se Vengu ka kërkuar që të gjitha strukturat të jenë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar fluksin e turistëve dhe për të përballuar çdo situatë që mund të paraqitet gjatë muajve të nxehtë të verës.

Burime bëjnë me dije se do të ngrihet një Task Forcë e posaçme për muajt korrik dhe gusht, teksa në bashkëpunim me të gjithë deputetët e Vlorës do të ndahen edhe prioritetet e punës në tre drejtime kryesore, duke përfshirë edhe të gjitha strukturat vendore dhe qendrore, të cilat konsistojnë tek: pastrimi dhe mjedisi, mirëmbajtja e infrastrukturës, siguria dhe shëndeti.

Sipas burimeve, administrata qendrore dhe vendore do të jenë në gatishmëri edhe fundjavave për porositë e lëna. Mësohet se Pirro Vengu, Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe deputetët e tjerë do të organizojnë takime të shpeshta për të analizuar edhe performancën e çdo drejtuesi.