Papa Leoni i XIV rikthen traditën verore në Castel Gandolfo

Të dielën, Papa Leoni i XIV do të rikthejë një traditë të vjetër shekullore, duke u nisur nga Vatikani për të kaluar pushimet verore në Castel Gandolfo.

Ai ka zgjedhur të largohet nga vapës përvëluese e verës dhe të qëndrojë në qytetin piktoresk buzë liqenit, rreth një orë larg në jug të Romës. Për 12 vite me radhë, Papa Françesku kishte vendosur të mos e ndiqte këtë zakon, duke qëndruar në Vatikan gjatë muajve të verës.

Prania e Papa Leonit të XIV në Castel Gandolfo ka ngjallur shpresa për një ringjallje të turizmit në qytetin e vogël. Ai pritet të qëndrojë atje nga data 6 deri më 20 korrik.

Si Papa i parë që viziton Castel Gandolfon pas një dekade, Leoni i XIV është pritur me entuziazëm nga kryebashkiaku dhe komuniteti lokal, të cilët shpresojnë se kjo vizitë do të sjellë një rritje të numrit të turistëve, të tërhequr nga mundësia për ta parë Papën nga afër.

“Ekziston një dëshirë e madhe për të qenë këtu dhe për ta parë Atin e Shenjtë personalisht. Kjo është një mundësi për të dalë jashtë, për të mos e parë vetëm në ekran, por për të qenë fizikisht pranë tij, dhe për t’i shprehur dashurinë dhe ngrohtësinë tonë,” tha një banor.

Papa Françesku, i cili u nda nga jeta në prill, kishte zgjedhur të jetonte me thjeshtësi, duke shmangur shkëlqimin dhe luksin që shoqëron zakonisht papatin, dhe duke kaluar verat në rezidencën e tij në Vatikan.

Ndërkohë, Leoni i XIV ka në plan të dalë publikisht më 13 dhe 20 korrik, për të marrë pjesë në festimet fetare që zhvillohen në qytet.

Për herë të fundit, Castel Gandolfo kishte mirëpritur një Papë gjatë kohës së Benediktit XVI, i cili e kishte përdorur këtë rezidencë si vend tërheqjeje pas dorëheqjes së tij në vitin 2013.