Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje liderëve të subjekteve politike që sa më shpejt të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit.
“Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani të mërkurën ka takuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në njoftim thuhet se liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim, siç theksohet, “në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës”.