Njohja e Palestinës nga Britania, Franca e Kanadaja, Rubio: Nuk mund të ketë shtet palestinez nëse Izraeli nuk pranon
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i quajti planet e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Kanadasë për të njohur një shtet palestinez “të parëndësishme” dhe “kundërproduktive”.
“Është bezdisëse për disa, e parëndësishme. Nuk do të thotë asgjë”, tha Rubio në një intervistë për Fox News Radio, për njohjen e shtetit palestinez.
“Para së gjithash, asnjë nga këto vende nuk ka aftësinë për të krijuar një shtet palestinez. Nuk mund të ketë shtet palestinez nëse Izraeli nuk pranon. Së dyti, ata as nuk mund t’ju tregojnë se ku ndodhet ky shtet palestinez. Ata nuk mund t’ju tregojnë se kush do ta qeverisë atë. Dhe mendoj, së treti, se është kundërproduktive”, tha Rubio.
Diplomati më i lartë amerikan argumentoi se njohja e një shteti palestinez do ta shpërblente Hamasin dhe do ta nxiste atë që të refuzonte një armëpushim në Gaza.