Kalaja e Gjirokastrës u vizitua nga 100 mijë persona gjatë periudhës janar-qershor 2025.
Kalaja e Gjirokastrës, e njohur ndryshe edhe si Kalaja e Argjirosë, është monumenti më i rëndësishëm i qytetit, e cila qëndron kryelartë mbi kodër si një anije që pret vizitorë vendas e të huaj.
Shifra prej 100 mijë vizitorësh në gjysmën e parë të vitit 2025, tregon një rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e bërë kështu Kalanë e Gjirokastrës një nga më të vizituarat, me interes të lartë për të njohur e mësuar historinë e saj, shkruan Atsh.
Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë” është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, ndër të parët qytete shqiptare në UNESCO.
Kalaja është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit.
Krahasuar me kalatë mesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja por ruhet në gjendje më të mirë.