Një penallti u përsërit për herë të parë në histori për shkak të “rregullit të Alvarez”

Ekipi i futbollit të femrave të Anglisë mbrojti titullin e kampiones së Evropës, pas një finale dramatike ndaj Spanjës, që u vendos nga gjuajtjet e penalltive – dhe për herë të parë në histori, pamë zbatimin praktik të një rregulli të ri në këtë fazë të lojës.

Pas 90 minutave të luajtura, rezultati ishte 1-1, ndërsa edhe pas shtesës prej 30 minutash nuk pati gola. Fituesi u përcaktua nga penalltitë, ku Anglia doli triumfuese me rezultat 3-1.

Anglezet fituan shortin dhe zgjodhën të nisin të parat me Beth Mead që u drejtua e para drejt pikës së bardhë. Sulmuesja e Arsenalit realizoi në përpjekjen e parë, por gjatë gjuajtjes ajo rrëshqiti dhe e preku topin dy herë – një herë me njërën dhe menjëherë më pas me tjetrën.

Gjyqtarja franceze, Stephanie Frappart – e konsideruar si më e mira në botë – e vërejti menjëherë situatën dhe, duke u bazuar në rregullin e ri, urdhëroi që penalltia të përsëritej.

Ky ndryshim rregulli, i njohur tashmë si “rregulli i Alvarezit”, hyri në fuqi më 1 qershor. Ai lindi pas një rasti të ngjashëm në Ligën e Kampionëve, kur Julian Alvarez i Manchester City rrëshqiti dhe e preku topin dy herë gjatë një penalltie kundër Real Madridit.

Asokohe goli u anulua, dhe lojtari nuk kishte të drejtë të përsëriste goditjen. Sipas rregullit të ri të miratuar nga IFAB, në raste të tilla, penalltia do të përsëritet, për aq kohë sa kontakti i dyfishtë është i pavullnetshëm dhe topi përfundon në rrjetë.

Në rastin e Mead, përpjekja e dytë u ndal nga portierja e Spanjës, Cata Coll – por kjo nuk mjaftoi për iberiket, të cilat dështuan në tri nga katër penalltitë e tyre. Anglia realizoi tri goditje dhe mbrojti titullin e kampiones së Evropës për herë të dytë radhazi.