Netanyahu: Palestinezët duhet të kenë mundësinë të qëndrojnë në Gaza apo të largohen

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se palestinezët duhet të kenë mundësinë të zgjedhin nëse duan të qëndrojnë në Rripin e Gazës apo të largohen.

“Nëse duan të qëndrojnë, mund të qëndrojnë, por nëse duan të largohen, duhet të jenë në gjendje të largohen. Ky nuk duhet të jetë burg. Njerëzve duhet t’u jepet e drejta e zgjedhjes së lirë,” tha Netanyahu gjatë një konference për media me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Netanyahu shtoi se palestinezët duhet të kenë të drejtën të vetëqeverisen, por disa kompetenca, përfshirë sigurinë, duhet të mbeten nën kontrollin izraelit. Ai gjithashtu vlerësoi rolin e presidentit Trump, duke theksuar se “paqa rajonale është e mundur nën udhëheqjen e tij” dhe se bashkëpunimi mund të çojë në një marrëveshje të gjerë që përfshin gjithë Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan Donald Trump, nga ana e tij, foli për bisedimet e planifikuara me Iranin, duke deklaruar se “Irani është i gatshëm të bisedojë” pas tensioneve të fundit.

“Ne planifikuam bisedime dhe ata duan të flasin. Ata kanë marrë një goditje të madhe,” tha Trump. I pyetur për mundësinë e një sulmi tjetër ndaj Teheranit, ai theksoi: “Shpresoj të mos detyrohemi për këtë.”

Presidenti amerikan shtoi se në kohën e duhur mund të shqyrtohet edhe heqja e sanksioneve ndaj Iranit.

Trump po ashtu njoftoi se SHBA ka hequr disa sanksione ndaj Sirisë me kërkesë të vendeve të rajonit dhe të kryeministrit Netanyahu, për t’i dhënë një mundësi administratës së Damaskut. Ai tha se ishte “i impresionuar” nga presidenti sirian Ahmed al-Sharaa, duke e vlerësuar për sfidat me të cilat është përballur.

Ndërkohë, lidhur me situatën në Ukrainë, Trump konfirmoi se SHBA do të dërgojë më shumë armë. “Ata duhet të jenë në gjendje të mbrojnë veten. Ukraina është nën sulme të ashpra dhe ne do t’i mbështesim,” deklaroi ai.

Në përfundim, Netanyahu bëri të ditur se e ka nominuar presidentin Trump për Çmimin Nobel për Paqe, duke ia dorëzuar personalisht letrën e nominimit.