Nafie Selmani pyet VLEN-in: Sulmin ndaj Taravarit e keni me koordinim apo pa koordinim?

Pjesëtarët e VLEN it, me ose pa koordinim, nuk e di, por si të orkestruar në kor qenkan hedhur në sulm ndaj ASH-Arben Taravari, për pjesëmarrjen eventuale në lista të përbashkëta me BDI-në, në zgjedhjet e radhës. Deri këtu është legjitim sulmi. Kritika është pjesë e procesit demokratik.

Mirëpo, akuzat e VLEN-it se Arben Taravari e paska braktisur VLEN-in janë jo vetëm të pabazuara, por edhe një përpjekje e fundit për të ruajtur atë pak legjitimitet që i ka mbetur VLEN-it, të cilit dikur aq fortë i kishim besuar si projekt i NDRYSHIMIT.
Por gjërat, duhet shikuar më thellë, dhe aty ku është është interesimi i votuesve të VLEN-it.
Ndaj, ja disa pyetje që qytetarët, më saktë votuesit e VLEN-it, me të drejtë, ua drejtojmë sot udhëheqësve të VLEN-it:
-Pse akoma nuk u bëtë një subjekt i vetëm, ashtu siç u zotuat, një ditë pas daljes së Taravarit nga VLEN-i?
-Pse akoma vazhdoni ta promovoni veten dhe partitë tuaja veç e veç, si parti të ndara, dhe vetëm ndonjëherë shkrepni foto të përbashkët me buzëqeshje te ngrira?
-Pse nuk arrini të dakordësoheni për kandidatët për kryetarë komunash?
-Pse gjithnjë e më shumë në qarqe të ndryshme flitet se edhe një parti nga koalicioni VLEN me gjasë do shkëputet? Apo, përsëri do e shpallni për këtë fajtor Taravarin?
-Kur do na e sillni NDRYSHIMIN e premtuar me aq bujë? Edhe sa vite u duhen për ta parë ne qytetarët të paktën N-në nga NDRYSHIMI?
Dhe, pyetja e fundit: VLEN kundër Taravarit? Apo kundër vetvetes?