Mrekullia e tmerrit: Foshnja nxirret nga barku i gruas palestineze të vrarë në bombardimet brutale!

Një foshnjë u nxor nga barku i një gruaje shtatzënë palestineze të vrarë në një sulm ajror izraelit në Rripin jugor të Gazës, thanë mjekët, transmeton Anadolu.

Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se foshnja u nxor nga barku i nënës nga ekipet mjekësore në spitalin fushor Al-Mawasi. Nëna u vra në një sulm izraelit që shënjestroi një shtëpi në Al-Mawasi në Khan Younis perëndimor ditën e sotme.

Ushtria izraelite kreu sot sulme ajrore në të gjithë Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 50 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Izraeli ka vendosur një bllokadë në Gaza për 18 vjet dhe që nga 2 marsi ka mbyllur të gjitha kalimet, duke përkeqësuar kushtet humanitare për popullsinë 2.4 milionëshe të Gazës.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë gati 60 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.