Sektori për krim kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme informon qytetarët se gjatë periudhës së fundit është vërejtur një rritje e rasteve të dërgimit të mesazheve SMS të rreme, të cilat paraqiten në emër të operatorëve të telekomunikacionit, transmeton TS.
Këto mesazhe përmbajnë lidhje (linke) që çojnë në faqe interneti të dizajnuara në mënyrë të rreme, me qëllim që t’ju mashtrojnë të jepni të dhëna personale apo financiare, të cilat më pas mund të keqpërdoren nga grupe kriminale.
Apelojmë tek të gjithë qytetarët që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të sillen në mënyrë të përgjegjshme:
Mos hapni lidhje nga dërgues të dyshimtë;
Mos vendosni të dhëna personale në faqe të pasigurta;
Mos iu përgjigjni mesazheve të tilla;
Raportoni rastin në stacionin më të afërt të policisë;
Bllokoni numrin e dërguesit.
Sektori për krim kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme po ndërmerr masa aktive dhe po ndjek procedura për rastet e këtij lloji mashtrimi./TS