“Mos e ngarkoni Yamalin me krahasime me Messin” – Guardiola i prerë për talentin që kanë dyshja

Trajneri i Manchester Cityt dhe legjenda e Barcelonës, Pep Guardiola, ka reaguar ndaj krahasimeve të shumta që po i bëhen Lamine Yamalit me Lionel Messin, duke u bërë thirrje tifozëve dhe mediave që t’i japin kohë yllit të ri për t’u zhvilluar në mënyrë natyrale.

Yamal, i cili së fundmi mori fanellën me numrin ikonik 10 në Barcelonë — atë që dikur e mbante vetë Messi, shihet si një prej talenteve më premtues në “Camp Nou” dhe një pasardhës potencial i legjendës argjentinase.

Megjithatë, Guardiola mendon se është shumë herët për tërhequr paralele të tilla, por nuk i sheh të dëmshme, pasi vlerësohet talenti i spanjollit të ri.

“Duhet ta lëmë Lamine Yamal të ndjekë rrugën e vet dhe, pas 15 vitesh karrierë, mund të gjykojmë nëse është më i mirë se Messi apo jo”.

“Fakti që ai krahasohet me Messin është, në vetvete, diçka e madhe. Është si të krahasosh një piktor me Van Goghun”, shtoi Guardiola.

Megjithatë, ai paralajmëroi për nevojën që Yamal të qëndrojë me këmbë në tokë. Paraqitja e tij e fundit kundër Vissel Kobe nuk ishte në nivelin e zakonshëm, duke kujtuar se ende ka hapësirë për përmirësim.

“Ai ka gjithçka që i duhet për të lulëzuar. Por duhet kohë, përkushtim dhe qëndrueshmëri. Të mos nxitojmë”, ka thënë Guoardiola.