Ministri izraelit i Mbrojtjes ka deklaruar se ka udhëzuar ushtrinë që të përgatisë një plan për zhvendosjen e të gjithë palestinezëve në Gaza në një kamp në jug të territorit.
Israel Katz u tha gazetarëve se synon ngritjen e një “qyteti humanitar” në rrënojat e qytetit të Rafahut, për të strehuar fillimisht 600 mijë palestinezë dhe më pas gjithë popullsinë prej 2.1 milionë.
Katz tha se qëllimi është të grumbullojnë njerëzit brenda një strehe pasi t’i jenë nënshtruar një kontrolli që nuk janë militantë të Hamasit dhe më pas nuk do të lejohen të largohen prej andej.
“Nëse e lejojnë kushtet, ndërtimi do të nisë gjatë armëpushimit 60-ditor që Izraeli dhe Hamasi po përpiqen të negociojnë”, deklaroi Katz.
Një avokat izraelit për të drejtat e njeriut e dënoi vendimin duke e quajtur një “plan operacional për një krim kundër njerëzimit”.
“Po bëhet e gjitha për transferimin e popullsisë në majën jugore të Rripit të Gazës, si pjesë e përgatitjeve për t’i nxjerrë banorët jashtë territorit”, deklaroi Michael Sfard për gazetën “The Guardian”.
Më parë, OKB paralajmëroi se dëbimi apo transferimi i detyruar i popullsisë civile të një territori të pushtuar është tërësisht e ndaluar në bazë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe përbën një “spastrim etnik”.
Ndërkohë, në darkën e zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i dorëzoi Donald Trump propozimin e tij që presidenti amerikan të marrë Çmimin Nobel për Paqen.