Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, me “Kabinetin Mobil” në Shtip

Të shtunën, më 26 korrik 2025, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, do të qëndrojë në Shtip në kuadër të iniciativës “Kabineti Mobil”.

Aktivitetet do të fillojnë me një takim pune me drejtuesit dhe stafin mjekësor të Spitalit Klinik Publik – Shtip, ku do të diskutohen sfidat, burimet dhe planet për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në rajon.

Në periudhën prej orës 12:00 deri në 14:00, ministri Aliu do të zhvillojë edhe takime me qytetarët, të cilët do të kenë mundësi t’i ndajnë drejtpërdrejt përvojat, problemet apo propozimet e tyre që lidhen me sistemin shëndetësor.

Për të marrë pjesë në këto takime, nevojitet paraqitje paraprake përmes platformës “Kabineti i Hapur”, e cila është e disponueshme në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë:

https://zdravstvo.gov.mk/

Ministria e Shëndetësisë i inkurajon qytetarët e Shtipit dhe rrethinës që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për komunikim të drejtpërdrejtë me ministrin Azir Aliu.

Iniciativa “Kabineti Mobil” paraqet një model pune në terren, përmes së cilës ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me anëtarët e kabinetit të tij, do të vizitojnë institucionet shëndetësore në mbarë vendin. Qëllimi është të realizohet një vështrim i drejtpërdrejtë mbi gjendjen e institucioneve publike shëndetësore, të forcohet bashkëpunimi me punonjësit mjekësorë dhe të zhvillohet një dialog i hapur me qytetarët.