Midis heshtjes së një rrënje dhe shpërthimit të një peme!

Epoka e gjeoekonomisë dhe Ballkani.
Midis heshtjes së një rrënje dhe shpërthimit të një peme!

Nga Arian Galdini

Ballkani, si rrënjë e thellë e një peme ende të palindur, rri i fshehur në errësirën e tensioneve historike dhe në heshtjen e pritjes së pafund.

Por kjo rrënjë mban nën tokë themelet e një paqeje të re, të pakënduar ende, të panjohur për fjalorët diplomatike, por gjithnjë e më të domosdoshme për fatin global.

Në heshtjen e Ballkanit jeton një kujtesë që nuk ka folur ende në gjuhën e së ardhmes.

Ne kemi hyrë në epokën e gjeoekonomisë. Një epokë ku nuk sundon më tregu i lirë, por interesi i zhveshur kombëtar, ku tarifat, rrjetet dixhitale, qasja mbi burimet natyrore dhe kontrolli mbi infrastrukturën strategjike janë armë që nuk tingëllojnë, por ndikojnë.

Nuk është vetëm çështje softi dhe protokolli. Pa ndershmëri, çdo linjë optike është çarje morale.

Kjo epokë e re i kthen rajonet, si Ballkani, ose në sisteme bashkëpunimi ose në fusha të rivalitetit. Nuk ka më vend për zona gri.

I. Shqipërë-Kosovë-Maqedoni: Tri rrezet e një potenciali

Nëse Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut harmonizojnë qasjet në infrastrukturë, energji, inovacion dhe cyber, krijohet në Ballkan shtylla perëndimore më e qëndrueshme që pas shpërndarjes së Perandorisë Osmane.

Propozimi im nuk është imagjinatë.
Çdo segment të tij mund të nisë nesër:

1. Akademia Skënderbeg për Siguri dhe Inovacion në Krujë. Me 50 milionë dollarë nga NATO dhe BE, trajnimi i 1,000 të rinjve të rajonit në cyber dhe inteligjencë është investim i sigurt.

2. Autostrada e Sigurisë Skënderbeg, rrjet 5G që lidh portet shqiptare me bazat e NATO-s në rajon.

3. Kanuni Dixhital Ballkanik, një kod etik teknik bashkëpunimi, frymëzuar nga trashëgimia jonë.

Në vitin 2024, fondi për inovacion i BE-së për Ballkanin ishte 2.1 miliardë euro. Shqipëria përfitoi vetëm 3%. Pse?
A thua kemi mësuar të qëndrojmë për veten tonë në tryezat e financimit, apo ende kërkojmë të na përfaqësojnë të tjerët?

Një rast konkret,incidenti i linjës optike.

Në vitin 2023, një incident i heshtur zbuloi gjithçka, devijimi i një linje optike strategjike nga Durrësi drejt Shkupit, që për 72 orë kaloi nëpër infrastrukturë të një shteti të tretë, në kontroll të heshtur.
Askush nuk reagoi publikisht.
Por në gjuhën e re të gjeoekonomisë, kjo ishte një thirrje alarmi: “Ballkani është i ekspozuar.”

A ka kuptim të ftojmë edhe Kroacinë, Bosnjen, Malin e Zi?

Po. Sepse Kroacia, për shembull, ka porte strategjike që lidhen me Adriatikun. Mali i Zi dhe Bosnja kontrollojnë kalime malore dhe rrugë energjetike të padukshme.
Nëse i lëmë jashtë, Ballkani mbetet i paplotë. Nëse i ftojmë, krijojmë një sistem bashkëpunimi që ka shumëfishin e fuqisë së secilit veçmas.

Nga Ibn Khalduni te gjeoekonomia.

Ibn Khalduni, në Mukaddimah, shkruante se forca e shteteve buron nga ‘asabiyyah’, ndjenja e bashkimit si fat i përbashkët.
Pa këtë, sado burime të ketë një vend, ai kalbet nga brenda.

Sot, gjeoekonomia e re na kërkon asabiyyah të teknologjisë dhe etikës, bashkim strategjik të shpejtë, qartë, të ndershëm.

Po e vonuam, do na copëtojnë të tjerët.

Në heshtjen e rrënjëve shqiptare në Berlin, Londër e New York, jetojnë investimet që mund ta kthejnë Shqipërinë në pemë për gjithë Ballkanin.

Shqipëria, rrënja e heshtur, pema e mundshme.

Shqipërisë i duhet të ndalë së qenuri stacion tranziti i narrativave të të tjerëve dhe të niset të jetë hartë strategjie për rajonin.

Kemi vullnet, dije, rini, ndershmëri dhe vizion.

Kemi të rinj të shumtë, 20-vjeçarë që zhvillojnë algoritmin e tyre për siguri dixhitale. Nuk kanë studiuar jashtë.
Kanë besim që Shqipërë mund të jetë dritë që s’ka nevojë të bërtasë për të ndriçuar.

A do të jemi rrënjë, apo do të guxojmë të jemi pemë?

Nëse nuk jemi rrënjë për askënd, a kemi të drejtë të ankohemi pse nuk jemi degë për askënd?

Në vitin 2027, nëse Samiti i NATO-s, mbahet në Tiranë, le të mos jetë thjesht ceremoni.
Le të jetë kurora e asaj që e kemi ngritur vetë, pa spektakël, pa lutje, por me punë, dije dhe bashkëkohësi.

Sepse madhështia nuk matet me bujën e lajmeve, por me përmasën e rrënjës që duron, që ushqen, dhe që ngrihet si pemë e epokës që do vijë.

Mos të gëzojmë se kemi tokë.
Le të tronditemi që ende nuk kemi pemë.

Ballkani ka pasur mjaftë rrënjë të thara.

Le ta bëjmë Shqipërinë pemën e parë që lulëzon për të gjithë.

Arian Galdini