Mickoski: Për të rinjtë kemi paraparë përfshirje të zgjeruar për planin operativ për hapjen e bizneseve dhe qasje falas në revistat shkencore

“Është zgjeruar përfshirja në pjesën e mbështetjes për hapjen e kompanive dhe bizneseve me 460 milionë denarë. Kjo do të thotë se edhe 200 të rinj të tjerë do të kenë mundësi të themelojnë kompani start-up, ku do të vetëpunësohen dhe të udhëheqin biznes në Maqedoni. Kjo është mirë, sepse do t’i mbajmë fëmijët në shtëpi”, tha Kryeministri Hristijan Mickoski në seancën e sotme në Parlament, kushtuar pyetjeve të deputetëve, duke iu përgjigjur pyetjes mbi planin operativ për punësim.

Kryeministri theksoi se numri i aplikimeve është rritur për 60 përqind dhe kjo tregon se interesi për këtë masë është rritur.

“Sa i përket investimit tek të rinjtë, do të përqëndrohem edhe tek studentët, për herë të parë, kjo Qeveri ka siguruar qasje falas në dy baza për revista shkencore për të gjithë shkencëtarët, pavarësisht nëse janë punonjës universiteti apo janë studentë. Ata do të kenë mundësi të ndjekin trendet globale se si zhvillohet shkenca.

Këto janë Web of Science dhe Scopus. Vlerësojmë se në këtë mënyrë, ajo që më parë ishte e shtrenjtë dhe rrallë kush mund ta kishte, tani bëhet e aksesueshme për të rinjtë. Përmes këtij lloji të bazave të revistave shkencore të nivelit më të lartë në botë, ata do të mund të shohin se si po zhvillohet njerëzimi. Kjo do të vlejë gjithashtu edhe për profesorët dhe asistentët që përgatisin teza magjistrature apo doktorature”, shtoi kryeministri.

Sipas tij, kjo duhet të ndihmojë universitetet maqedonase të zhvillohen dhe të paktën një prej tyre të renditet ndër 1000 universitetet më të mira në botë, sipas Listës së Shangait.

Gjithashtu, janë rritur mjetet për shkencën, për ushqimin studentor, për bursa, etj. ndërsa para pak ditësh patëm mundësi të shohim nga afër ndërtimin e konviktit studentor “Kuzman Josifovski – Pitu” në Shkup, ndërsa së shpejti do të vizitojmë edhe konviktin tjetër “Stiv Naumov”, u përgjigj kryeministri Mickoski në pyetjen mbi investimet që Qeveria po ndërmerr për të rinjtë dhe shtoi se është paraparë ndarja e vauçerëve për pajisje elektronike për studentët, hapja e universiteteve të reja, ndërtesa të reja për fakultete, etj.