Mickoski: Pas një viti nga paralajmërimi, po realizohet investimi më i madh prej gjysmë miliardë dollarësh, i cili do të prodhojë 1 teravat energji elektrike

Të nderuar, në vazhdim është fjalimi i Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në ceremoninë e sotme të vendosjes së gurthemelit të parkut të turbinave të erës “Alkazar Enerxhi”:

Në parim, kam një fjalim të bukur të shkruar, por në përgjithësi gjërat që duhej të kisha thënë në këtë fjalim u thanë tashmë nga Danieli, pronari i këtij investimi, kështu që do të jetë triviale të përsëritem.

Do të them diçka që mendoj se është mirë të thuhet për vendin, por edhe për planet që ne si Qeveri kemi, dhe sigurisht në fund do të lë pjesën e mirësjelljes për të falënderuar të gjithë ata që na ndihmuan të jemi të pranishëm këtu sot dhe të ngrisim, ndoshta për herë të parë, një akt të tillë, të ashtuquajturën kapsulë kohore, deri më tani kjo nuk ka qenë e zakonshme në vendin tonë dhe në këto zona.

Është një ndjenjë jashtëzakonisht e këndshme për mua sot sepse pas pak më shumë se një viti, ajo që premtuam atëherë, së bashku me kompaninë dhe investitorin, tani po merr një lloj përfundimi, përfundimi i kësaj faze të parë.

Ishte praktikisht dita e dytë pas zgjedhjes së Qeverisë së re të asaj kohe kur, së bashku me Danielin dhe bashkëpunëtorët e tij, paralajmëruam një investim në energjinë e rinovueshme me vlerë gjysmë miliardi dollarë, i cili do të prodhojë afërsisht 1TW energji elektrike në vit dhe se do të jetë një investim që praktikisht do të jetë një nxitës dhe një model për mënyrën se si duhet të ecim në të ardhmen.

I tillë ishte fillimi, dhe fundi i vitit ishte historik për ne si vend, sepse për herë të parë tejkaluam shifrën prej një miliardë eurosh në investime të huaja direkte, arritëm një shifër prej 1,255,000,000 eurosh në investime të huaja direkte në atë vit 2024, që ishte një surprizë e këndshme për ne, por edhe konfirmim se po ecim në drejtimin e duhur, dhe ky ishte një nga ata tregues fillestarë, sepse gjërat nuk vijnë menjëherë dhe nuk vijnë shpejt.

Do të duhet pak më shumë kohë për t’u ndjerrë, por është mirë kur treguesit fillestarë janë të mirë.

Këtë vit punuam së bashku me “Alkazar Enerxhi” për ta mbajtur këtë aktivitet në fund të qershorit, gjë që po e bëjmë sot më 16 korrik, unë në fillim, kur u takuam me Danielin, kërkova ndjesë sepse ishim tre javë me vonesë, por mendoj se vonesa këtu është e ndërsjellë dhe siç tha Danieli në fjalimin e tij, disiplina është gjithmonë më e rëndësishmja.

Nëse nuk ka disiplinë dhe një strukturë të qartë për një projekt, nuk ka asgjë. Atëherë gjithçka që po ndërtoni do të fillojë të shembet dhe në fund nuk do të arrini qëllimin e dëshiruar, dhe qëllimi ynë i dëshiruar ishte gurthemeli i sotëm. Kemi shumë ide të tjera se si ky investim mund të shtojë vlerë edhe më të madhe dhe të jetë edhe më domethënës, si për kompaninë investitore ashtu edhe për ne si vend, por këtë do ta diskutojmë në një fazë të ardhëshme.

Gjithashtu, dua të përmend se si Qeveri jemi seriozisht të përkushtuar në ekonominë, sepse besojmë fuqimisht se kemi potencial të madh dhe se potenciali që kemi si Qeveri dhe si potencial njerëzor që ka shteti mund të na çojë me hapa gjigantë përpara dhe këtë po e bëjmë dhe të tillë janë treguesit fillestarë të këtij viti, gjigantë për ne, për dallim nga hapat prapa të shtatë viteve të kaluara, rezultatet dhe treguesit në fillim të këtij viti, tremujorin e parë, 5 muajt e parë dhe do të thoja 2 tremujorët e parë, gjegjësisht gjysmën e parë të vitit, po bëjmë hapa gjigantë përpara.

Në çfarë kuptimi?

Sot, për shembull, gjatë bisedës me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, mora një informacion që më bëri personalisht shumë krenar dhe të lumtur, e ai është se në pesë muajt e parë të vitit, eksporti i produkteve bujqësore është për 57% më i lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Do me thënë, jo 5, jo 7, jo 10, por 57% më i lartë është eksporti i produkteve bujqësore në pesë muajt e parë të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, duke lexuar portalet, më ra në sy një lajm sot në mëngjes se Kombet e Bashkuara dhe zyra e tyre për turizëm e kanë përfshirë Maqedoninë si destinacionin e tetë për turizëm në botë, me rritje të turistëve prej 22% në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Ky është një hap gjigant përpara, 22% më shumë turistë në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Kur thamë se BPV-ja në bazë reale në tremujorin e parë është rritur për 3.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe kur përmendëm se ky është rezultati i katërt më i mirë në Evropë, menjëherë pas Irlandës, Danimarkës dhe Polonisë, shumica na përqeshnin, por tani mund të paralajmëroj se në tremujorin e dytë do të kemi rezultat edhe më të mirë, duke i pasur parasysh këta indikatorë, do të lëvizin ndërmjet 4 dhe 6%, kjo paraqet një hap gjigant përpara, sepse treguesit e parë për dy muajt e parë të tremujorit të dytë, pra për prillin dhe majin, janë të jashtëzakonshëm. Këtu do ta përmendja rritjen e prodhimit industrial në muajin maj për saktësisht 9.4%, rritje historike e prodhimit industrial në muajin maj.

Ishim mësuar me 7 vjet stagnim dhe mungesë të ecjes përpara, ne sot flasim për hapa të mëdhenj përpara, jo mbrapa. Ashtu ishte në shtatë vitet e kaluara.

Parametrat e tjerë që si Qeveri po i realizojmë në ekonominë tonë janë gjithashtu gjigantë, qoftë në ndërtimtari, numrin e lejeve për ndërtim, apo vlerën e objekteve që do të ndërtohen, do të maten me 20, 30, 40, 60% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të gjitha këto i them me një qëllim, e ai është se nuk mund të kesh ekonomi të fortë dhe tregues të fortë nëse në një mënyrë nuk e ke rikthyer besimin te investitorët, ndërsa besimi rikthehet në dy mënyra.

Mënyra e parë, siç e përmendi Danieli, është disiplina në punë, punë e ndershme dhe e disiplinuar dhe e dyta është lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundimi i së drejtës.

Për të parën foli Danieli, ndërsa për të dytën fola unë dje, kur GRECO publikisht tha se kjo Qeveri merr 5 kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Imagjinoni, arritëm si Qeveri në Maqedoni të marrim 5 në skenë të hapur nga institucione ndërkombëtare të njohura siç është GRECO, e cila është pjesë e Këshillit të Evropës dhe kjo meriton duartrokitje.

Nuk do të zgjas më shumë, duke pasur parasysh se kemi edhe një pjesë tjetër, e ajo është vendosja e gurthemelit dhe kapsulës kohore. Edhe një herë dua t’ju falënderoj të gjithë atyre që ishin të përfshirë në projekt, anëtarëve të Qeverisë, njerëzve nga ekipi i “Alkazar Energy”, komunave të Shtipit, Radovishit, Karbincit, institucioneve qeveritare që ndihmuan në realizimin e këtij projekti, kolegëve të mi të dashur nga Fakulteti i Makinerisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” që morën pjesë në hartimin dhe projektimin e një pjese të madhe të asaj që po e fillojmë sot, kështu që kemi, mund të them, një produkt të bërë tërësisht në Maqedoni, nga projektimi deri te realizimi.

Dua të falënderoj qytetarët për durimin e tyre, të gjithë ata që ndanë një pjesë të jetës së tyre për t’iu përkushtuar këtij projekti dhe në fund, dua të falënderoj Danielin që na njohu si një destinacion që do të jetë shtëpia e investimit të “Alkazar Energy”, nga ana ime, në emër të Qeverisë dhe të gjitha institucioneve që janë pjesë e saj, mund të them se do të vazhdojmë së bashku për gjithçka që ata mendojnë se ne mund të ndihmojmë, jemi në dispozicion.

Edhe një herë, urime dhe le të shumëfishohen sa më shumë investime të tilla.