Mickoski “do t’i qortojë” Mexhitin dhe Fetain – vetëm nëse del që veturat zyrtare kanë bërë “shëtitje partiake”
Dhjetë ditë pas raportimeve mediatike ku u panë vetura zyrtare të zëvendëskryeministrave Izet Mexhiti dhe Arben Fetai të parkuara rreth mesnate para qendrës tregtare „Mavrovka“, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se ende nuk e di nëse ata ishin aty për ndonjë takim qeveritar.
Mickoski theksoi se do t’i pyesë personalisht zëvendëskryeministrat për natyrën e takimit:
„Ne si Qeveri punojmë deri vonë në mbrëmje, edhe unë vetë. Sigurisht kanë qenë në ndonjë takim që ka të bëjë me punët e Qeverisë, por nëse nuk ka qenë ashtu, atëherë duhet t’u kërkojnë falje qytetarëve. Nëse i kanë përdorur për qëllime private apo partiake, të kërkojnë falje, sepse shpenzojnë resurset e qytetarëve. Por nëse kanë pasur takim për politikat e qeverisë, atëherë është në rregull. Besoj që do ta japin përgjigjen, por edhe unë do t’i pyes“, tha Mickoski.
Më 18 qershor, ekipi i “360stepeni.mk” publikoi fotografi ku shihen veturat zyrtare të Arben Fetait, zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë, dhe të Izet Mexhitit, zëvendëskryeministër dhe ministër i Mjedisit Jetësor, të parkuara afër mesnate para “Mavrovkës”, pranë selisë partiake të koalicionit „Vredi“, ku të dy janë pjesë.
Derisa vetë zëvendëskryeministrat ende nuk kanë sqaruar publikisht arsyen e pranisë së tyre, Qeveria më herët kishte paralajmëruar futjen e targave të veçanta me ngjyrë për veturat zyrtare, në mënyrë që qytetarët të mund të dallojnë dhe të raportojnë rastet e mundshme të keqpërdorimit. Megjithatë, ky premtim nuk është realizuar ende.