Mickoski: Autostrada drejt Ohrit për vite me radhë ishte simbol i ngecjes – tani do të jetë simbol i suksesit dhe punës së përgjegjshme

Sot, së bashku, jemi dëshmitarë të diçkaje që për shumëkënd dukej e pamundur. Ky nuk është vetëm lëshim në përdorim e një pjese të autostradës, por ky është një moment rikthimi i besimit, një dëshmi se kur marrim përgjegjësinë me ndërgjegje të pastër dhe me qëllim të sinqertë, atëherë ndryshimet ndodhin.

Në këtë segment, në pjesën Preseka-Pesoçan, sot qarkullohet në një autostradë të re. Vetëm një vit pasi morëm përgjegjësinë për ta udhëhequr shtetin, arritëm të zhbllokojmë një nga projektet më të mëdha dhe më të bllokuara infrastrukturore në Maqedoni. Projekti që për vite me radhë qëndroi si simbol i ngecjes, si një pamje e turpshme për një shtet që rrotullohej në vend, sot është simbol i një kohe të re.

Shtatë vjet zgjatën pritjet, premtimet pa vepra, harxhimi i kotë i kohës, parave dhe nervave të qytetarëve. Shtatë vjet marrëdhënie pronësore të pazgjidhura, projekte të ndryshuara, institucione jofunksionale dhe punë e papërgjegjshme. Sot, vetëm një vit pasi e fituam besimin e popullit, dëshmojmë se çfarë do të thotë punë e vërtetë – me vepra, jo me fjalë.

Çdo metër i kësaj autostrade është ndërtuar me punë të palodhshme, por edhe me një vullnet të qartë për përparim, një vullnet për t’i vënë fund dështimeve të së kaluarës. Dhe nuk ndalemi këtu – vitin e ardhshëm, autostrada Kërçovë – Ohër do të përfundojë plotësisht dhe do të vihet në funksion. Dhe kjo nuk do të jetë një fitore e rastësishme, por një sukses i planifikuar – rezultat i punës së përditshme, të palodhshme dhe të përgjegjshme.

Paralelisht me këtë, janë realizuar edhe një sërë projektesh të tjera kapitale në të gjithë vendin. Brenda vetëm një viti, me punë dhe përkushtim, arritëm të vëmë në përdorim:

-Një pjesë të rrugës ekspres Gradsko – Prilep, në segmentin Gradsko – Drenovë, me vlerë prej 37.4 milionë eurosh;

-Rrugën eksprese Drenovë – Farish, e cila ndjeshëm e shkurton udhëtimin dhe e rrit cilësinë e sigurisë në komunikacion.
-Rruga eksprese Rankovcë – Kriva Pallankë (segmenti Stracin), në gjatësi prej 26 kilometrash dhe me vlerë pothuajse 98 milionë euro – një segment kyç për lidhjen me pikën kufitare lindore dhe me Bullgarinë fqinje;

-E kemi rikonstruktuar plotësisht edhe rrugën rajonale Ohër – Shën Naum, në gjatësi prej 25 kilometrash, me vlerë prej pothuajse 12 milionë euro – rrugë që ka rëndësi të madhe për turizmin dhe zhvillimin lokal.

Këtu do ta shtoja edhe segmentin që po ashtu është pjesë e Korridorit 8, e ajo është Gostivar – Bukojçan, të cilën e gjetëm pothuajse askund, ishin paguar vetëm faturat për avansin, ndërsa në terren nuk ishte bërë pothuajse asgjë. Ndryshe nga një vit më parë, atje tashmë punohet, ndërtohet dhe unë jam optimist se edhe para afatit do ta përfundojmë këtë pjesë të autostradës, e cila është pjesë e rëndësishme e Korridorit 8.

Këto nuk janë vetëm shifra. Këto janë jetë njerëzish që do të udhëtojnë më shpejt, më sigurt dhe me cilësi më të mirë. Këto janë rajone që po hapen për investime të reja, për zhvillim, për mundësi. Këto janë fëmijë që vijnë më afër arsimit, pacientë më afër shëndetësisë, bujq më afër tregjeve.

Këto janë rrugë të shpresës. Rrugë që rikthejnë besimin te shteti.

Sot e shohim dallimin mes një politike që ndërton dhe një politike që kërkon justifikime. Mes një sistemi që funksionon dhe një sistemi që kërkon arsyetime.

Po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve – jo vetëm me beton dhe asfalt, por me punë, me ndershmëri, me respekt për çdo qytetar që paguan taksa dhe me të drejtë pret të fitojë infrastrukturë, shërbime dhe zhvillim.

Kjo qeveri është këtu për të punuar. Për të zgjidhur probleme.

Dhe po, më e mira po vjen.
Vjen koha kur do të ecim përpara – pa justifikime, pa ngecje, pa frikë.

Sot, nga këtu, nga Preseka – Pesoçan, dërgojmë një mesazh: do ta përfundojmë autostradën, do t’i përfundojmë ndryshimet, do ta përfundojmë punën që prej kohësh ka pritur një qeveri të vërtetë, që është pikërisht kjo që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni, së bashku me koalicionin Vlen dhe partinë politike ZNAM.

Ne nuk premtojmë shumë. Por atë që e premtojmë – e realizojmë.

Ne nuk flasim për themele – ne i ndërtojmë ato.

Prandaj, së bashku me ju, hap pas hapi, kilometër pas kilometri, po e rikthejmë shpresën dhe po e lëvizim Maqedoninë përpara.

Dhe le të dëgjohet zëri i ndryshimeve nëpër çdo rrugë të re, çdo projekt të ri, çdo sukses të ri!

Ju uroj jetë e shëndet dhe përdorimi i kësaj pjese të autostradës qoftë me fat për të gjithë ne!