Mexhiti në pritje të vulës nga VMRO për të hyrë në garë në Çair?

Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka bërë të qartë se koalicioni qeveritar me VLEN-in nuk është i përkohshëm dhe se bashkëpunimi mes tyre pritet të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale që po afrojnë.

“Jemi në koalicion me VLEN në Qeveri dhe është logjike që kjo bashkëpunim të vazhdojë edhe në nivel lokal,” deklaroi Mickoski të hënën në një konferencë për shtyp para selisë së partisë.

Ky qëndrim i Mickoskit sinjalizon se VMRO-DPMNE synon të konsolidojë partneritetin me VLEN-in jo vetëm në nivel ekzekutiv, por edhe në pushtetin vendor, duke e përfshirë në strategjinë zgjedhore si aleat afatgjatë. VLEN, një përbërje e formuar nga ish-eksponentë të BDI-së dhe aktorë të rinj politikë shqiptarë, po shihet si partner kyç i VMRO-së në përpjekjen për të rrëzuar dominimin historik të BDI-së në komunat shqiptare.

Mickoski nuk kurseu kritikat e forta ndaj BDI-së, duke e akuzuar për abuzim me pushtetin dhe pasurim personal në kurriz të qytetarëve:

“BDI është një parti që për mbi 20 vite është pasuruar mbi shpinën e qytetarëve – shqiptarë dhe maqedonas. Në vend të punës për qytetarët, ata kanë ndërtuar pasuri për vete. Kanë blerë qendra tregtare, dyqane, makina luksoze, kanë formuar firma që merrnin tenderë. E kanë shkatërruar qytetet, si Gostivari që ka rënë nga 85 mijë në 59 mijë banorë. Ka ardhur koha që BDI të shkojë në histori.”

Ndërkohë, lidhur me spekulimet për një kandidaturë të Izet Mexhitit në Çair, Mickoski sqaroi se nuk është diskutuar ende, por e përshkroi Mexhitin si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij në Qeveri:

“Me Mexhitin bashkëpunojmë çdo ditë. Flasim, koordinojmë. Ai vendos për të ardhmen e tij politike, por nuk kemi biseduar për kandidaturën e mundshme në Çair.”

Krahas VLEN-it, Mickoski konfirmoi se bisedimet me lëvizjen ZNAM për zgjedhjet lokale janë duke vazhduar në një atmosferë konstruktive, me mundësi që të dalin me kandidat të përbashkët për kryetar komune, ndërsa listat për këshilltarë do të jenë të ndara./TS/