Mentor Nazarko: Veprimi i Taravarit ishte sakrificë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve

Gazetari dhe analisti i njohur Mentor Nazarko, në një deklaratë ekskluzive për PressOnline.al, ka komentuar zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut dhe ka theksuar se faktori politik shqiptar ndodhet përballë një sfide të madhe: të gjejë një emërues minimal të përbashkët që të rrisë peshën e tij politike.

“Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut duhet të gjejë patjetër një emërues minimal të përbashkët mes dy blloqeve kryesore politike që sot janë në konflikt të thellë, por edhe midis këtyre forcave politike dhe Shqipërisë zyrtare. Po ashtu, është thelbësore të krijohet një koordinim midis Shqipërisë zyrtare dhe Kosovës zyrtare,” u shpreh Nazarko për PressOnline.al

Sipas tij, fakti që faktori shqiptar sot vepron i fragmentuar e bën atë më të dobët dhe më të lehtë për t’u manipuluar nga faktorë të tjerë. “Faktori shqiptar, nëse vepron i bashkuar dhe si një i tërë, ka një peshë të konsiderueshme politike; përndryshe, nëse vepron i fragmentuar dhe i ndarë, shndërrohet në një faktor të parëndësishëm dhe të parashikueshëm nga të tjerët,” theksoi Nazarko.

Duke komentuar edhe veprimin e fundit të zotit Taravari, Nazarko e vlerëson atë si një hap që shkon përtej interesave të ngushta partiake.

“Mund ta konsideroj një akt sakrifice, sepse ai vuri në plan të dytë interesat pragmatike, përfaqësimin, punësimet e të tjera, për të rritur ndjeshmërinë dhe ndërgjegjësimin për situatën e vështirë ku gjendet faktori shqiptar sot: dobësimi i korpusit të të drejtave të shqiptarëve, si në nivel shtetëror dhe institucional, ashtu edhe në nivel shoqëror,” tha më tej ai.