Mbretëria e Bashkuar do ta njohë Palestinën gjatë këtij mandati parlamentar

Mbretëria e Bashkuar do ta njohë shtetin e Palestinës përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në vitin 2029, deklaroi të hënën një ministër i qeverisë.

Duke folur për Sky News, Sekretari për Biznes dhe Tregti, Jonathan Reynolds, tha se ministrat dëshirojnë dhe do të njohin një shtet palestinez.

I pyetur nëse kjo njohje do të ndodhë gjatë këtij mandati parlamentar, Reynolds u përgjigj: “Gjatë këtij mandati, po. Dua të them: nëse sjell përparimin që na nevojitet.”

“Por mos harroni, ne mund ta bëjmë këtë vetëm një herë. Nëse e bëjmë në njëmënyrë simbolike, që nuk e sjell fundin e këtij konflikti, çfarë do të ndodhë më pas?” shtoi ai.

Duke iu referuar situatës dramatike në Rripin e Gazës, ai tha: “Qëllimi i hedhjeve ajrore është se nuk mund të presim, duhet të veprojmë.”

“Të gjithë po e shohim rënien e humanitetit që po shfaqet.”

Sipas raporteve, kryeministri britanik Keir Starmer është nën presion nga disa anëtarë të lartë të qeverisë për të njohur menjëherë shtetin palestinez.

Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit gjithashtu ka kërkuar kohët e fundit që qeveria ta njohë menjëherë shtetësinë palestineze “me guxim dhe vendosmëri”, si pjesë e përgatitjeve me aleatët për një zgjidhje me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët.

Emily Thornberry, kryetare e këtij komiteti, deklaroi se ka “frustrim të madh mes shumë qytetarëve britanikë që qeveria ka vepruar gjithmonë shumë pak dhe shumë vonë.”

Në një tjetër shenjë presioni ndaj Starmerit, më shumë se 200 deputetë kanë nënshkruar një letër ndërpartiake duke i kërkuar atij të njohë shtetësinë palestineze.