MASH-i: Janë ndarë 54 milionë denarë për projekte kërkimore-shkencore në institucionet publike shkencore
Shkenca po merr mbështetje të shtuar nga Qeveria. Përmes dy thirrjeve publike, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndarë mbi 54 milionë denarë për institucionet shkencore publike për zbatimin e projekteve shkencore dhe kërkimore, si dhe për institucionet e arsimit të lartë që, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit zbatojnë projekte me interes të veçantë shkencor dhe publik që janë në korrelacion me qëllimet e Strategjisë së Specializimit Inteligjent të Maqedonisë.
Me 23,7 milionë denarë, do të financohet realizimi i tetë projekteve të propozuara nga tetë institute publike shkencore të pavarura, të cilat aplikuan në thirrjen e MASh për mbështetje të veprimtarisë së tyre, që konsiderohet me interes të lartë strategjik dhe kombëtar për shtetin. Sipas kushteve të thirrjes, për secilin projekt mund të ndahen deri në3 milionë denarë.
Pesë projekte kërkimore-shkencore me interes të veçantë publik dhe shkencor, rezultat i bashkëpunimit ndërmjet sektorit akademik dhe biznesit, do të financohen me gjithsej 30,4 milionë denarë. Këto projekte janë pjesë e iniciativës për specializim të mençur të shtetit, ku thirrja për aplikim parashikonte financim deri në 8 milionë denarë për secilin projekt. Rezultatet e përzgjedhjes janë publikuar dhe janë në dispozicion për publikun.
Ministria e përgjegjshme njofton gjithashtu se së shpejti do të publikohen rezultatet e thirrjes së tretë publike, pjesë e programit për mbështetjen e veprimtarisë kërkimore-shkencore në Maqedoni për vitin 2025. Kjo thirrje synon financimin e projekteve inovative të propozuara nga universitetet shtetërore, fakultetet, institutet shkencore dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM). Çdo projekt i aprovuar do të marrë mbështetje financiare deri në 8 milionë denarë.