Limani: Po hapim një proces gjithëpërfshirës për zhvillimin e Strategjisë Kombëtare për Rezistencë Demografike

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve organizoi ngjarjen e titulluar: “Trendet Demografike, Sfidat dhe Zgjidhjet e Mundshme” – Zhvillimi i Dokumenteve Strategjike për Rezistencë Demografike, i cili e hapi procesin gjithëpërfshirës për ballafaqim me trendët negative demografike.
Ministria, me mbështetjen e Fondit të Popullsisë së Kombeve të Bashkuara UNFPA dhe ekspertit José Miguel Guzmán, po fillon një proces intensiv të krijimit të një Strategjie për Zhvillimin Demografik dhe Rezistencën, e cila do të jetë plotësisht në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit 2024–2044, si dhe me Kornizën për bashkëpunim me Kombet e Bashkuara 2026–2030.
Të gjithë aktorët shoqërorë janë të përfshirë në zhvillimin e Strategjisë Kombëtare për Rezistencën Demografike.
Ngjarja u hap nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Hristijan Mickoski.
“Por sot do të flasim për një krizë ndryshe. Për një krizë të qetë, afatgjatë, sistematike dhe globale, e ajo është recesioni demografik. Ky nuk është problem vetëm i Maqedonisë. Kjo është sfidë e gjithë Evropës, madje edhe më gjerë. Por situata jonë është e veçantë. Sepse derisa disa vende po e vënë re këtë fenomen si një trend, në vendin tonë është një alarm”, tha Kryeministri Mickoski.
Duke i prezantuar të dhënat statistikore, Mickoski theksoi se: “Këto nuk janë vetëm numra. Kjo është një heshtje që po përhapet” dhe theksoi se kjo Qeveri nuk po hesht për problemin. E emërton, e njeh dhe po e lufton atë.
“Çdo masë, çdo investim, çdo politikë që ne ndërmarrim synon rivendosjen e besimit”, tha Kryeministri Mickoski.
Ministri Limani theksoi se kjo çështje është me rëndësi thelbësore për të ardhmen e shoqërisë sonë, duke pasur parasysh se Republika e Maqedonisë së Veriut po përballet me një sfidë serioze demografike – rënie të popullsisë, plakje të popullatës, emigrim të të rinjve dhe shpërndarje të pabarabartë territoriale. “Përpjekjet tona janë plotësisht në përputhje me ringjalljen ekonomike të vendit dhe stimulimin e rritjes së qëndrueshme, inkurajimin e kthimit nga migrimi, mbështetjen dhe mbrojtjen e familjeve, përmirësimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve dhe zbutjen e trendeve negative demografike përmes një qasje kohezive që përfshin infrastrukturën, aksesin në shërbime, digjitalizimin dhe zhvillimin rajonal”, theksoi Limani.
Koordinatori Kombëtar për Demografinë, Rininë dhe Burimet Njerëzore të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Vlladimir Gjorçev, theksoi se “demografia është një nga fushat më të rëndësishme për të ardhmen e çdo vendi. Maqedonia duhet të kujdeset për zhvillimin demografik, sepse kjo temë është ndër çështjet kryesore për të ardhmen. Më të rëndësishmet janë burimet njerëzore”, theksoi Gjorçev.
Gabriel Gualano De Godoy, ushtrues i detyrës Koordinator i Përhershëm i OKB-së në Maqedoninë e Veriut, theksoi se trendet demografike, si një nga pesë mega-trendet që formësojnë botën tonë, kërkojnë lidership strategjik dhe të guximshëm.
“Angazhimi i Qeverisë për ta vendosur demografinë lart në agjendën e saj është i lavdërueshëm, ashtu si edhe partneriteti i saj i fortë me UNFPA-në dhe sistemin më të gjerë të Kombeve të Bashkuara”, vuri në dukje Gabriel Gualano de Godoy.
Shefja e Zyrës së UNFPA-së në Maqedoninë e Veriut, Afrodita Shala, foli për rolin e UNFPA-së.
“Roli i UNFPA-së në adresimin e efekteve të ndryshimeve demografike është fuqizimi i individëve dhe shoqërive që të përparojnë përballë këtyre ndryshimeve – duke shfrytëzuar potencialin e secilit individ dhe duke ndërtuar kështu qëndrueshmëri demografike”, tha Shala.
“Të gjitha zgjidhjet për sfidat demografike përmblidhen në një gjë – që njerëzit të besojnë se e ardhmja e tyre dhe e ardhmja e Maqedonisë së Veriut janë të pandashme, se qëndrimi, puna, rritja e një familjeje dhe plakja me dinjitet këtu do të thotë një jetë më e mirë për individin dhe komunitetin”, tha José Miguel Guzmán – ekspert ndërkombëtar për demografinë dhe politikat e popullsisë, i angazhuar nga UNFPA.
Në këtë ngjarje mesazhe kryesore u dhanë gjithashtu edhe nga ministrat Durmishi, Janevska, Perinski, zëvendësministrat Andonovski dhe Dimitrovski, si dhe Kryetari i BNJVL-së Gjorgjievski.
Në këtë diskutim morën pjesë disa nga përfaqësuesit e pranishëm të Parlamentit, sindikatave, Odave, komunitetit akademik, sektorit civil dhe atij të biznesit.