Lihen në burg tre të arrestuarit për vrasjen e Anesti Ramës

Tre autorët e dyshuar nga për vrasjen e Anesti Ramës kanë mbetur në burg pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Fierit.

Konkretisht do të qëndrojnë në qeli gjatë hetimeve që do të zhvillojë prokuroria, Emanilda Rama, vajza e tij 26-vjeçare që mori përsipër krimin, Valbona Rama, bashkëshortja që ndihmoi të fshihej ngjarja dhe Çlirim Dogani, bashkëpunëtori në krim.

Në deklarimet në polici, 26-vjeçarja Rama pretendon se e ka mbytur të atin për shkak të sjelljeve të tij.

“Rreth orës 12:30 kam shkuar në banesë dhe teksa mamaja po bënte punët e shtëpisë, i jam drejtuar tualetit. Kur kam hapur derën e tij pashë babin brenda dhe shoh që tualeti ishte bërë pis prej tij. Kur e pashë tualetin ashtu u acarova, dola jashtë dhe shkova të marr një tel, të cilin e kisha lënë në cepin e ballkonit të shtëpisë. Shkova sërish në banjo dhe i thash babit “mos bëj zë” ai mu kthye “do vuash dhe do vdesësh pas meje”. Në atë moment i lidha dy herë telin rreth qafës dhe e mbyta. Pastrova duart me ujë dhe i thash mamit të dilnim nga shtëpia të iknim në punë. Trupin e babait e lashë në tualet deri në darkë”, rrëfeu ajo.

Sipas policisë, nëna e vajzës njëherazi dhe bashkëshortja e viktimës ka kryer veprime për të fshehur vrasjen e Anesti Ramës.