Licencë softuerike e dyshimtë në kazino – Kallëzim penal ndaj një kompanie turistike dhe të punësuarit të saj

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë ka ngritur kallëzim penal ndaj një subjekti juridik – shoqëri për turizëm, hoteleri dhe shërbime me seli në Shkup, si dhe ndaj A.M. (25) nga Ohri, i punësuar në këtë kompani, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Shkelja e së drejtës për shpikjen e regjistruar ose të mbrojtur dhe topografisë së qarqeve të integruara”.

Sipas autoriteteve, më 29 janar 2025, gjatë një kontrolli të kryer në një kazino në fshatin Bogovinë, komuna e Tetovës, nga përfaqësues të Drejtorisë së të Ardhurave Publike – Tetovë, Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Inspektoratit Shtetëror të Tregut, është konstatuar se një kompjuter me dy numra identifikues të shërbimit posedonte licencë të dyshimtë të softuerit, e cila ishte aktive edhe në 16 klube të tjera në territorin e shtetit.

Sipas legjislacionit në fuqi, licenca e tillë mund të instalohet ligjërisht vetëm në një pajisje të vetme, ndërsa në këtë rast dyshohet për shkelje të të drejtave të autorit dhe të pronësisë intelektuale, për çka është ndërmarrë procedurë penale.

Materialet janë dorëzuar në Prokurorinë kompetente për veprim të mëtejshëm.