Lëvizja në Malin Sharr vetëm me leje të posaçme, në të kundërtën pasojnë gjobat

Gjobë deri në mbi një mijë euro për shëtitje në Malin Sharr, pa pëlqimin e “Parkut Kombëtar”. Ndalesa tashmë është në fuqi, ndërsa për lëvizje të lirë duhet së pari të bëhet paraqitja elektronike dhe të pritet konfirmimi përmes emailit.

“Vizitorët paraqiten në ueb faqen tonë dhe është procedurë shumë e thjeshtë, disa sekonda, dhe pas dërgesës së paraqitjes marrin email me konfirmim për lëvizje në mal, me çka rehat lëvizin në zonën ku janë lajmëruar dhe arsyen që e kanë paraqitur. Dënimet janë të mëdha dhe kontrollet do të jenë të shtuara nga kontrollorët tanë policia dhe zjarrfikësit, andaj kujdes dënimet janë të mëdha dhe nuk duam që askush të merr një dënim të tillë”, deklaroi Millorad Andieski, Parku Kombëtar “Mali Sharr”.

Ky vendim është marrë me qëllim të mbrojtjes së pyjeve nga zjarret, sidomos në këtë periudhë kur temperaturat janë tejet të larta. Në periudhën e fundit zjarret në hapësira të ndryshme janë shtuar dukshëm. Kryeshefi i njësisë Territoriale kundër Zjarrit në Tetovë, Avni Ameti, thotë se problemi më i madh shkaktohet nga bujqit të cilët pastrojnë arat dhe pastaj mbetjet i djegin.

“Bujqit dinë që të bëjnë ndezje me pastrimin, andaj duhet kujdes që të mos bëjnë ndonjë dëm më të madh, si dhe të paraqiten tek zjarrfikësit që ta kemi më lehtë nëse zjarri përhapet që të dimë lokacionin dhe të intervenojmë më shpejtë, sepse kur intervenojmë më shpejtë dihet se shpëtojmë të mirat e banorëve dhe jetët e tyre”, tha Avni Ameti, Kryeshef i NJTKZ.

Vitin e kaluar në vend pati qindra zjarre ndërsa u dogjën mbi 90.000 hektarë sipërfaqe. /Alsat.mk