La Liga ia jep dritën e gjelbër Barcelonës, për rikthimin në “Camp Nou”

Barcelona mbetet në rrugën e duhur për t’u rikthyer në “Camp Nou”-n e rinovuar pas pushimit ndërkombëtar të shtatorit, me synimin për të luajtur aty ndeshjet e La Ligës dhe Ligës së Kampionëve.

Klubi po punon ende për të organizuar Trofeun Joan Gamper më 10 gusht, që do të ishte ndeshja e parë në stadium që nga fillimi i punimeve. Kjo sfidë do të shërbejë si test teknik për të vlerësuar nëse stadiumi është gati për të pritur ndeshje zyrtare.

Rivali i mundshëm për Gamperin është Como, skuadër nga Italia, por plani fillestar për ta zhvilluar ndeshjen përpara 60,000 tifozëve është anuluar. Për shkak të vonesave në ndërtim, pritet që të lejohen vetëm 25,000 deri në 35,000 spektatorë, ndërsa tribunat pas portave do të qëndrojnë të mbyllura.

Sipas Mundo Deportivo, Barcelona ka marrë licencën e parë komunale për aktivitete dhe ndërtim, por ende i mungon licenca për “hyrjen e parë”. Kjo e fundit do të miratohet vetëm pasi të përfundojnë punimet bazë që mundësojnë zhvillimin e ndeshjeve në stadium.

Event testues pa publik do të mbahet më 28 korrik, për të garantuar masat e sigurisë para se të merret leja përfundimtare.

Ndërkohë, një delegacion i UEFA-s është shprehur i kënaqur me ecurinë e punimeve dhe beson se stadiumi do të jetë gati për rikthimin e Ligës së Kampionëve, ndërsa edhe La Liga ka dhënë miratimin, me ndeshjen e parë në shtëpi që pritet të jetë më 13 ose 14 shtator ndaj Valencias.

Deri atëherë, Barça do t’i luajë të tre ndeshjet e para të kampionatit jashtë fushe. Tifozët do të jenë në pritje të njoftimeve të reja për rikthimin historik në “Camp Nou”.