Kuvendi miraton ligjin me të cilin nxënësit nga shkollat fetare do të mund të japin maturën shtetërore dhe të regjistrohen në universitete

Propozim-ligji me të cilin nxënësit nga bashkësitë fetare do të mund të japin maturën shtetërore dhe të regjistrohen në universitete, njëjtë si edhe nxënësit tjerë, sot pasdite ishte miratuar në kuadër të mbledhjes së 64-t të Kuvendit.

Qëllimi i ligjit, siç është bërë e ditur në sqarim, është që të sigurohet interesimi më i mirë i nxënësve të regjistruar në shkollat fetare, përmes krijimit të mundësisë ligjore për dhënien e maturës shtetërore në bazë të Ligjit për arsimin e mesëm dhe Konceptin e maturës shtetërore, maturës shkollore dhe provimit përfundimtar. Me këtë, siç bëhet e ditur në ligj, mundësohet vazhdim i pandërprerë i arsimit të tyre në universitetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Për lëndët e arsimit të përgjithshëm, në përputhje me planin mësimor, do të zbatohen programet mësimore për arsimin e mesëm, të përcaktuara nga ministri i Arsimit dhe Shkencës. Programet mësimore për lëndët në fushën e ortodoksizmit, gjegjësisht fesë dhe teologjisë islame, do të zhvillohen nga shkollat fetare përkatëse dhe do të miratohen nga themeluesi i tyre. Mbështetja profesionale dhe këshillimore për mësuesit që zbatojnë lëndët e arsimit të përgjithshëm në shkollat e mesme fetare ofrohet nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, në përputhje me kompetencat e saj. Nxënësit e regjistruar në Shkollën Teologjike – Shkup dhe në Shkollën e Mesme Teologjike ‘Isa Beu’ – Shkup kanë të drejtë të japin provimin e maturës shtetërore, në përputhje me Ligjin për arsimin e mesëm dhe aktet nënligjore të miratuara në bazë të tij, duke përfshirë Konceptin për Provimin e Maturës Shtetërore, Provimin e Maturës Shkollore dhe Provimin Përfundimtar. Nxënësit që kalojnë me sukses provimin e maturës shtetërore fitojnë të drejtën të vazhdojnë arsimin e tyre në institucionet e arsimit të lartë në vend. Përveç kësaj, nxënësit që kanë marrë diplomë për arsim të përfunduar në Shkollën Teologjike – Shkup dhe Shkollën e Mesme Teologjike ‘Isa Beu’ – Shkup, fitojnë të drejtën për të vazhduar arsimin e tyre në institucionet e arsimit të lartë të themeluara nga bashkësitë fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në përputhje me ligjin dhe kushtet e përcaktuara nga vetë institucionet”, thuhet në Ligjin për institucionet e arsimit të mesëm të bashkësive fetare.

Për deputetët e LSDM-së opozitare, kjo zgjidhje ligjore është antikushtetuese dhe po dëmtohet sekularizmi i shteti. Ligji, siç vlerësuan, ka paqartësi të shumta dhe probleme institucionale dhe miratohet pa debat publik.

Deputetja Bisera Kostadinovska Stojçevska theksoi se mungojnë mekanizma për kontroll dhe mbikëqyrje në financimin dhe përmbajtjet të cilat do të realizohen. Ligj të tillë, siç tha, nuk ka në asnjë shtet të Ballkanit Perëndimor. Pyeti me çfarë përgatitje këta nxënës do të regjistrohen në institucionet e arsimit të lartë.

Deputetët e bllokut shqiptar shprehën mbështetje për zgjidhjen e propozuar ligjore, e cila sipas tyre është e nevojshme, por polemika mes tyre ishte për atë se kush është meritor për miratimin e ligjit.

Sali Murati nga Fronti Evropian tha se janë për këtë zgjidhje ligjore, por se teksti i ligjit do të ishte më i mirë nëse pranoheshin amendamentet e parashtruara.

Në pjesën e debatit të pasdites, ishin miratuar edhe ndryshimet e Ligjit për banim.