Disa nga personat që Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzoi për sulmin në Banjskë të Zveçanit – ose së paku një prej tyre – dhe që kërkohen nga autoritetet kosovare, u panë në një protestë të rrethuar nga policia në qendër të Beogradit.
Prishtina zyrtare thotë se personat e akuzuar për sulmin e 24 shtatorit, 2023, u panë më 28 qershor në Parkun e Pionierëve në Beograd, përballë zyrës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Por, nga autoritetet shtetërore të Serbisë nuk ka ende ndonjë reagim.
Duke përdorur mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të përcaktonte se grupi përfshinte Vlladimir Vuçetiçin nga Mitrovica e Veriut, i cili është një prej 45 personave të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës.
Megjithatë, bazuar në informacionet publike në Serbi, ai nuk është i akuzuar për këtë vepër penale.
Radio Evropa e Lirë, bazuar në pamjet nga rrjetet sociale, arriti t’i identifikonte së paku 11 persona të mbledhur në disa grupe, anëtarët e të cilëve ishin të veshur me këmisha të njëjta ngjyrë jeshile.
Sipas fotografive dhe videove të disponueshme, këto grupe qëndronin pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë dhe afër njësive të policisë.