Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është deklaruar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se ka rikonfirmuar gatishmërinë e PDK-së për gjetjen e një zgjidhjeje.
Krasniqi gjithashtu u shpreh se shpreson që edhe këto konsulta të jenë në funksion të gjetjen së rrugëdaljes, përcjell Klankosova.tv.
“Edhe në këtë takim rikonfirmova qëndrimin dhe gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të luajtur rolin tonë në gjetjen e një zgjidhje të krizës politike, sidomos tani që kemi edhe qartësi nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i ka bërë të qartë rolet e secilit, në radhë të parë të koalicionit që ka dalur i pari në zgjedhje, të cilin e ka detyruar përveç tjerash edhe për gjetjen e kompromisit”.
“Unë shpresoj që edhe këto konsulta të jenë në funksion të gjetjen së rrugëdaljes, por mbetet që takimet e tjera të cilat i ka planifikuar presidentja të na qartësojnë se a ka apo s’ka një ndryshim të kryeneçësisë politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të z.Kurti që po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, u shpreh ai.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës është e qartë, këto qëndrime ia shpreha edhe presidentes që aktgjykimi e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e mënyrës së votimit në mes të procesit, e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e rendit të ditës”, u shpreh tutje ai./Klankosova.tv