Konflikti kufitar me Kamboxhian, 100 mijë civilë tajlandezë evakuohen, shkon në 15 numri i viktimave

Më shumë se 100,000 persona janë evakuuar nga Tajlanda përgjatë kufirit me Kamboxhian, pas dy ditësh përleshjesh të rënda ushtarake që shënojnë përshkallëzimin më të dhunshëm mes dy vendeve në më shumë se një dekadë.

Ministria e Brendshme tajlandeze njoftoi të premten se 100,672 njerëz nga katër provinca kufitare janë zhvendosur në strehimore emergjente, ndërsa Ministria e Shëndetësisë raportoi se numri i viktimave është rritur në 15, nga të cilët 14 janë civilë.

Përleshjet u përqendruan në provincat Ubon Ratchathani dhe Surin, ku ushtria tajlandeze tha se forcat kamboxhiane përdorën artileri të rëndë dhe sisteme raketash BM-21 të prodhimit rus. “Forcat kamboxhiane kanë kryer bombardime të vazhdueshme,” thuhet në një deklaratë zyrtare të ushtrisë së Tajlandës, e cila shton se është kundërpërgjigjur “me zjarr mbështetës të përshtatshëm, sipas situatës taktike”.

Ndërkohë, Kamboxhia nuk ka dhënë informacione zyrtare mbi viktimat apo masat e evakuimit. Megjithatë, një zyrtar lokal në provincën Oddar Meanchey konfirmoi për agjencinë Reuters se një civil është vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur, ndërsa 1,500 familje janë evakuuar në zonat e sigurta.

Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e luftimeve të enjten në një zonë kufitare të diskutueshme, me pretendime të vjetra për sovranitet që datojnë më shumë se një shekull. Përplasja, që filloi me armë të vogla, u përshkallëzua shpejt në granatime të rënda në të paktën gjashtë vende të ndryshme përgjatë 209 kilometrave të kufirit.