Kina rishikon kontrollin e teknologjive

Kina ka përditësuar katalogun e vet të teknologjive, eksporti i të cilave ndalohet ose kufizohet, duke shtuar teknologjinë e materialeve të katodës së baterisë në listën e kufizimeve dhe duke hequr kontrollet ndaj disa teknologjive arkitekturore, njoftoi Ministria e Tregtisë e Kinës.

Katalogu i rishikuar, i publikuar bashkërisht nga Ministria e Tregtisë dhe Ministria e Shkencës dhe e Teknologjisë, përmban një shtesë, tre heqje dhe një modifikim të një pike ekzistuese, tha një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë në përgjigje të një pyetjeje të medias.

Teknologjia e përgatitjes së materialit të katodës së baterisë u shtua rishtazi në listë, duke përfshirë materiale si fosfatin e hekurit të litiumit. Sipas zëdhënësit, këto teknologji kërkojnë leje eksporti, pasi ato përdoren gjithnjë e më shumë në fusha të ndjeshme dhe përfshirja e tyre në katalog ndihmon në balancimin më të mirë të zhvillimit dhe shqetësimeve të sigurisë.

Përditësimi gjithashtu modifikoi kufizimet ekzistuese në teknologjinë e metalurgjisë me ngjyra, duke vendosur kontroll mbi teknikat që përfshijnë prodhimin e karbonatit të litiumit me bazë spodumenin, ndërsa rregullon kërkesat për nxjerrjen e metalit të galiumit.

Katalogut, të publikuar për herë të parë më 2001, i janë bërë rishikime të mëparshme përkatësisht në vitet 2008, 2020 e 2023. Teknologjitë e listuara si të ndaluara nuk mund të eksportohen, ndërsa teknologjitë e kufizuara kërkojnë leje eksporti.

Zëdhënësi ritheksoi që Kina mbetet e angazhuar për hapjen me standarde të larta dhe përmirësimin e mjedisit të saj të biznesit, duke qenë e gatshme të thellojë shkëmbimet teknologjike me të gjitha vendet.