Kina mbështet zgjidhjen me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën

Në një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë mbi zgjidhjen me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, i dërguari i posaçëm i Kinës për çështjen e Lindjes së Mesme, Zhai Jun, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime konkrete për të nxitur një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme midis Izraelit dhe Palestinës, si edhe për të çuar përpara zgjidhjen me dy shtete

Zhai theksoi se përparësia e menjëhershme është arritja e një armëpushimi të plotë në Gaza, zbutja e krizës humanitare dhe krijimi i kushteve të nevojshme për realizimin e zgjidhjes me dy shtete. Ai shtoi se Kina mbështet fuqimisht krijimin e një shteti të pavarur palestinez bazuar në kufijtë e vitit 1967, me kryeqytet Jerusalemin Lindor, i cili gëzon sovranitet të plotë.

“Çdo përpjekje për të ndryshuar me forcë statusin e Gazës ose për të cenuar territorin e Bregut Perëndimor nuk do të sjellë paqe. Veprime të tilla vetëm sa do të nxisin më tej paqëndrueshmërinë dhe do të minojnë perspektivat për një zgjidhje me dy shtete”, deklaroi Zhai. “Kina kundërshton me vendosmëri çdo veprim që shkel ligjin ndërkombëtar dhe synon të minojë zgjidhjen me dy shtete.”

Kina përsëriti gjithashtu rëndësinë e respektimit të parimit “palestinezët qeverisin palestinezët”, duke theksuar nevojën për një qeverisje të qëndrueshme si në Gaza ashtu edhe në Bregun Perëndimor. Për më tepër, ajo nënvizoi nevojën për të mbështetur unitetin palestinez, për të forcuar kapacitetin e saj qeverisës dhe qëndrueshmërinë ekonomike.

Delegacioni kinez theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme të sigurisë për paqen afatgjatë në Lindjen e Mesme. Zhai tha se siguria e të gjitha vendeve në rajon, përfshirë Palestinën dhe Izraelin, është e ndërlidhur prandaj një qasje e njëanshme ndaj sigurisë nuk do të funksionojë; vetëm siguria kolektive mund të hapë rrugën për paqe të qëndrueshme.

I dërguari kinez pohoi se zgjidhja me dy shtete mbetet e vetmja rrugë e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjes palestineze dhe bëri thirrje për një afat kohor të qartë dhe një plan veprimi për zbatimin e tij. Ai tha se Kina do të vazhdojë të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare për të arritur një armëpushim në Gaza dhe një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen palestineze.