Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi informoi të shtunën median mbi bashkëpunimin Kinë-ASEAN dhe se po demonstrojnë një dëshirë të fortë për të mbështetur njëra-tjetrën, për t’u bashkuar dhe për të bashkëpunuar, si edhe për t’u përballur së bashku me sfidat.
Wang theksoi që takimet në Kuala-Lumpur arritën një sërë rezultatesh.
Së pari, u konfirmua përfundimi i negociatave mbi versionin 3.0 të Zonës së Tregtisë së Lirë Kinë-ASEAN dhe u ra dakord që ai të paraqitet për miratim dhe nënshkrim në takimin e udhëheqësve në tetor, duke sinjalizuar që Kina dhe ASEAN-i do të vazhdojnë të promovojnë integrimin ekonomik rajonal dhe të ndërtojnë një rrjet rajonal të tregtisë së lirë të nivelit të lartë.
Së dyti, Kina dhe ASEAN-i ranë dakord mbi planin e veprimit për partneritetin strategjik gjithëpërfshirës për pesë vitet e ardhshme, duke përcaktuar mbi 40 objektiva të bashkëpunimit të gjithanshëm në fusha të ndryshme e duke i dhënë një shtysë të fortë bashkëpunimit konkret dypalësh në fazën tjetër.
Së treti, të dyja palët mirëpritën përfundimin e shqyrtimit të tretë të tekstit të projektit të Kodit të Sjelljes në Detin e Kinës Jugore, ranë dakord të përpiqen të përfundojnë konsultimet brenda vitit 2026 dhe të arrijnë një Kod që është efektiv, thelbësor dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin Detar. Kjo do të ofrojë një garanci më të fortë për paqen dhe qëndrueshmërinë në Detin e Kinës Jugore.
“Hapja sjell përparim, ndërsa mbyllja çon në prapambetje”, tha Wang kur komentoi tarifat e larta të vendosura nga ShBA-ja kundër vendeve të ndryshme.
Kina ka ndërmarrë nismën për të ofruar trajtim me tarifa zero për produktet nga vendet më pak të zhvilluara dhe të gjithë Afrikën, ka përfunduar plotësisht negociatat mbi versionin 3.0 të Zonës së Tregtisë së Lirë Kinë-ASEAN dhe ka krijuar një model të ri të bashkëpunimit ndërrajonal në samitin ASEAN-Kinë-Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, shtoi ai.
Në të kundërt, tarifat e larta të vendosura ndaj vendeve të ndryshme janë shkelje e qartë e rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, duke prishur funksionimin e qëndrueshëm të zinxhirëve të prodhimit e të furnizimit dhe duke penguar rimëkëmbjen dhe zhvillimin e ekonomisë botërore, tha Wang, duke shtuar se një veprim i tillë është i papërgjegjshëm dhe i paqëndrueshëm.
Duke vënë në dukje se çështja e Detit të Kinës Jugore diskutohet çdo vit në takime dhe ky vit nuk ishte përjashtim, Wang tha: “Nuk duhet ta shoqërojmë gjithmonë Detin e Kinës Jugore me fërkimet, konfliktet ose konfrontimet, por me paqen, qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin. Kjo duhet të bëhet prirja kryesore në të ardhmen,” u shpreh Wang.