Forcimi i lidhjeve tregëtare dhe investimeve midis Kinës dhe Bashkimit Evropian , është një bazë solide për të forcuar qëndrueshmërinë dhe gjallërinë ekonomike, si edhe për të rritur aftësinë për të përballuar pasiguritë e jashtme- nënvizoi në Simpoziumin e Liderve të Biznesit Kinë – BE , kryeministri kinez Li Qiang .
Në këtë forum të zhvilluar në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin , mori pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Duke folur para rreth 60 udhëheqësve të biznesit, Li theksoi se bashkëpunimi është zgjedhja e vetme e duhur për Kinën dhe BE-në dhe që lidhjet tregtare dypalëshe kanë treguar dinamizëm të fortë të brendshëm gjatë pesë dekadave që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.
Kina dhe BE-ja mund të luajnë rol kyç në globalizimin ekonomik dhe në stabilizimin e zinxhirëve globalë industrialë e të furnizimit, duke punuar së bashku për të mbështetur tregtinë e lirë dhe multilateralizmin, si edhe nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë ekonomik e tregtar, tha kreu i qeverisë kineze.
Li propozoi që të dyja palët të përqendrohen në fusha të tilla si tregtia në shërbime, risitë shkencore e teknologjike, ekonomia e gjelbër dhe bashkëpunimi sa u përket palëve të treta, duke nxitur një marrëdhënie të shëndetshme konkurruese e bashkëpunuese.
Li vuri në dukje se Kina do të vijojë të zgjerojë hapjen në nivel të lartë, do të shkurtojë listën negative për investimet e huaja, do të forcojë mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe do të mbrojë konkurrencën e ndershme.
Von der Leyen u shpreh se Kina nuk është vetëm një fuqi industriale, por ka arritur rezultate të shkëlqyera edhe në fushën e inovacionit.
BE-ja është e gatshme ta marrë 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike si një rast për të thelluar partneritetin afatgjatë, të qëndrueshëm e me dobi të ndërsjellë me Kinën, tha ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian vuri në dukje më tej që BE-ja do të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të tilla si tregtia dhe investimet, do të punojë me Kinën për të promovuar qëndrueshmërinë e zinxhirëve industrialë e të furnizimit, për të menaxhuar dallimet në mënyrën e duhur dhe për të nxitur një mjedis të favorshëm për bashkëpunim dhe biznes.
BE-ja nuk ka ndër mend të shkëputet nga Kina dhe mirëpret ndërmarrjet kineze të investojnë në Evropë, shtoi ajo.