Kaos në Qafë-Botë pas arrestimit të doganierëve grekë, pritje të gjata për udhëtarët

Qytetarët që udhëtojnë nga Greqia drejt Shqipërisë janë përballur këtë mëngjes me radhë të gjata dhe pritje në pikën kufitare të Qafë-Botës, si pasojë e mungesës së stafit nga pala greke.

Aktualisht, autoritetet greke po operojnë me vetëm dy sportele dhe tre doganiere, të sjella nga Dogana e Kakavijës, ndërsa në anën shqiptare funksionojnë tre sportele. Situata ka krijuar një bllokim të dukshëm të qarkullimit dhe irritim tek udhëtarët, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.

Kaosi vjen pas arrestimit të 14 doganierëve grekë, mes tyre edhe shefi i Doganës së Qafë-Botës, të cilët akuzohen si pjesë e një grupi të organizuar kriminal. Sipas autoriteteve greke, doganierët janë proceduar për “ryshfet pasiv në bashkëpunim”, ndërsa hetimet kanë zbuluar një skemë korruptive ku punonjësit merrnin përfitime financiare të paligjshme për të shmangur kontrollet kufitare.

Dosja e hetimit përmban mbi 2,000 faqe dokumentacion, materiale video, fotografi dhe biseda të përgjuara midis të dyshuarve dhe personave të tjerë të përfshirë në rrjetin korruptiv.

Në anën shqiptare, autoritetet kufitare po punojnë për të lehtësuar fluksin e udhëtarëve, por situata mbetet e vështirë deri në normalizimin e stafit nga pala greke.