Kamionët me ndihma rifillojnë dërgimin e ndihmave nga Egjipti në Gaza përmes pikës kufitare Rafah

Kamionët me ndihma humanitare rifilluan lëvizjen e tyre nga Egjipti drejt Rripit të Gazës, duke shënuar ditën e tretë radhazi të shpërndarjes së ndihmave, transmeton Anadolu.

Kamionët filluan të kalonin në Gaza përmes pikës kufitare të Rafah, duke transportuar ushqime thelbësore, furnizime mjekësore dhe materiale të tjera ndihme për civilët e prekur nga kriza e vazhdueshme, raportoi kanali i lajmeve Al-Qahera.

Egjipti po siguron gati 80 për qind të të gjithë ndihmës humanitare që aktualisht po lëviz drejt Gazës, tha transmetuesi.

Të hënën, një numër i kufizuar kamionësh me ndihma hynë në Rripin e Gazës përmes pikës kufitare të Rafah me Egjiptin ndërsa një krizë urie e shkaktuar nga një bllokadë shkatërruese izraelite vazhdon të zgjerohet në enklavën palestineze.

Video të kapura nga një kameraman i Anadolus treguan disa kamionë të ngarkuar me ndihma humanitare që hynin në Rrip. Autoritetet palestineze thonë se Gaza ka nevojë për 600 kamionë me ndihma çdo ditë për të përmbushur nevojat e popullsisë prej 2.4 milionë banorësh të enklavës.

Izraeli ka vendosur bllokadë në Gaza për 18 vjet dhe që nga 2 marsi ka mbyllur të gjitha kalimet, duke bllokuar hyrjen e konvojeve të ndihmave dhe duke injoruar thirrjet ndërkombëtare për t’i rihapur ato. Shpërndarja e ndihmave nga Fondacioni Humanitar i Gazës filloi në fund të majit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 147 persona kanë vdekur nga uria që nga tetori 2023, përfshirë 88 fëmijë. Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë gati 60 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes ,Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.