Jordan shijon pushimet në Greqi, dhuron bakshish 10.000 euro në një restorant në Athinë

Basketbollisti më i madh i të gjitha kohërave, Michael Jordan, ndodhet prej disa javësh në një turne veror në Evropën Juglindore. Jordan fillimisht shijoi Detin Adriatik, duke vizituar Kroacinë dhe Malin e Zi, ndërsa udhëtimin e përfundoi në Greqi.

Në Greqi, Jordan promovoi markën e tij “Jordan” së bashku me disa yje të NBA-së, si Luka Donçiç dhe Zion Williamson. Gjatë qëndrimit në këtë vend, ai tregoi edhe bujarinë e tij të njohur.

Gjatë një darke në një restorant në Athinë, Jordan i dhuroi stafit të lokalit një shumë të madhe parash si shenjë falënderimi për gatimin e mrekullueshëm nga shefi i kuzhinës. Menuja ishte kryesisht me ushqim deti dhe shije tradicionale greke, ndërsa Jordan ishte i mahnitur dhe la një bakshish prej 10.000 eurosh, raportoi “Eurohoops”.

Gjatë darkës, Jordan mbajti edhe një fjalim prekës, ku lavdëroi Greqinë:

“Greqia është vendi i perëndive të lashta, ku lindën heronj legjendarë dhe ku për herë të parë u formësua koncepti i madhështisë. Në këtë moment kyç për të ardhmen e markës Jordan, ne kemi marrë frymëzim nga ky vend i jashtëzakonshëm,” – tha Michael Jordan.